Në qendrat shëndetësore më shumë cilësi ndaj pacientëve dhe pagesë më të mirë për mjekët

Shërbimi që ofrojnë qendrat shëndetësore në vend ka shënuar tregues pozitiv gjatë dy viteve të fundit, krahasuar me vitet paraardhëse, sikurse dhe shpërblimi i stafit mjeksor, të cilët veç rrogës mujore përfitojnë dhe një pagesë bonus 3 mujore në masën 5 për qind, bazuar në aktivitet. ”Me përfshirjen e kujdesit shëndetësor parësor në fillim të vitit 2007 në skemën e sigurimeve shëndetësore, tashmë zbatohet formula e njohur shpërblim më i mirë për një punë më të mirë", pohojnë burime nga Drejtoria e Mjekut në Institutin e Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor. Në shkallë vendi funksionojnë 413 qendra shëndetësore, që përfshijnë 1584 mjekë familje, 116 mjekë specialistë dhe 6640 infermiere/mami. Shërbimi në to, sipas matjes së performancës, rezulton me përmirësim të dukshëm, krahasuar me vitin 2006. Përsa i përket aktivitetit të mjekut të përgjithshëm të familjes në zonat rurale, numri mesatar i vizitave ditore në vitin 2006 ka qenë 3.9, në vitin 2007 ishte 6, dhe në vitin 2008 arriti në 6.7. Në zonat urbane, numri mesatar i vizitave ditore për mjekun e familjes në vitin 2006 ishte 7.9, në vitin 2007 u rrit në 9.8, dhe në vitin 2008 në 10.8. E shprehur në përqindje ky tregues u realizua në masën 88%, krahasuar me 33 përqind që ishte në vitin 2006. Sipas të dhënave nga ISKSH, bazuar në treguesit e realizuar, 170 qendra shëndetësore përfituan mbi 80% të finacimit në 2008, kundrejt 24 në 2007. Shpërblimi mujor i stafit mjekësor përfshin pagesën fikse mujore, në masën 85%, pagesën mujore bazuar në aktivitet, 10%, si dhe pagesën bonus 3-mujore, në masën 5%. Përsa i përket bonusit (5%), matja e tij kryhet nëpërmjet disa treguesve, si përqindja e pacientëve të vizituar për herë të parë brenda vitit nga mjeku i familjes (vlerësuar me 15 pikë), kostoja mesatare e recetave për diagnozë, për diagnoza të zgjedhura (20 pikë), përqindja e pacientëve kronike të vizituar çdo muaj nga mjeku i familjes (15 pikë), etj, duke u vlerësuar në total me 100 pikë. Matja e përqindjes së pacientëve të regjistruar, të vizituar për herë të parë nga mjeku i familjes rezulton në rritje të numrit të personave të siguruar. Në vitin 2006, ky tregues ishte 9.8 %, ose 419,712 persona të siguruar, në vitin 2007 15.9 %, ose 633,991 persona të siguruar, dhe në vitin 2008, 17.3%, ose 696,147 persona të siguruar. Deri dy vjet më parë qendrat shëndetësore në shkallë vendi financoheshin nga burime të ndryshme si nga Ministria e Shëndetësisë, që siguronte pagat e personelit të mesëm infermieror dhe atij ndihmës, shpenzimet për mallra e shërbime, apo shpenzimet për investime; nga Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor që siguronte pagat dhe sigurimet shoqërore e shëndetësore për mjekët; nga pushteti lokal që siguronte shpenzimet për mallra e shërbime (zonat rurale). Ky financim, i cilësuar si i fragmentizuar, i pakontrolluar, joefektiv ndryshoi në vitin 2007, kur kujdesi shëndetësor parësor u përfshi nga reforma. Roli i ISKSH-së si finacues i vetëm i aktivitetit të kujdesit shëndetësor parësor është pikërisht financimi i aktivitetit të qendrave shëndetësore mbi bazën e një pakete shërbimesh, sanksiononimi i autonomisë së tyre si institucione publik, etj. Ndërkohë, të ardhurat e krijuara nga aktiviteti u lihen 100% në përdorim qendrave shëndetësore.
...