Shqipëria do të kontribuojë në konsolidimin e institucioneve të Kosovës
Shqipëria do të vijojë të japë kontributin e saj për konsolidimin e institucioneve të Kosovës dhe do të përmbushë të gjitha detyrimet në kuadër të bashkëpunimit dypalësh. Ministri i Brendshëm Bujar Nishani u takua sot në Tiranë me Komandantin e KFOR-it, Gjeneral Lejtnan Giuseppe E.Gay, ku informoi mbi bashkëpunimin ndërkufitar me vendet fqinje si Malin e Zi, Maqedoninë dhe Greqinë, ndërsa vlerësoi si të rëndësishëm konsolidimin e këtij bashkëpunimi dhe me Kosovën; njoftoi zyra e shtypit pranë këtij dikasteri. Sipas ministrit Nishani, roli i KFOR-it në forcimin e rendit, sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë ka qenë i rënëdësishëm, sikurse dhe në krijimin e mundësive më të mëdha për zhvillimin e saj. Ai vuri në dukje se prania e KFOR-it është një sinjal i fortë pozitiv jo vetëm për Kosovën, por për të gjithë vendet e rajonit. Gjenerali Gay informoi mbi punën e KFOR-it në drejtim të forcimit të rendit e sigurisë në Kosovë dhe siguroi në të njëjtën kohë mbështetjen ndaj komunitetit për ngritjen dhe konsolidimin e kapaciteteve vendore. "Shkalla e tensionit në Kosovë ka njohur një ulje të ndjeshme nga viti në vit, duke përjashtuar disa incidente të vogla ndëretnike, kryesisht në veri të vendit”, u shpreh Komandanti i KFOR-it. Ai informoi dhe mbi transformimin dhe ristrukturimin e forcave të sigurisë së Kosovës dhe arritjen e objektivit për përfshirjen në masën 10% të përfaqësuesve të minoritetit në këto forca.
...