Kuvendi Shqiptar, anëtar i Asamblesë Parlamentare të Mesdheut

Dy javë para anëtarësimit me të drejta të plota në Aleancën më të madhe të lirisë dhe sigurisë në botë , NATO, Shqipëria hedh dhe një hap tjetër më pranë integrimit në familjen europiane, me anëtarësimin në Asamblenë parlamentare të Mesdheut, EURO-MED.
Lajmi zyrtar iu bë i ditur sot Kryetares së Kuvendit dhe delegacionit parlamentar që e shoqëron atë, gjatë punimeve të Asamblesë parlamentare të Mesdheut , në Bruksel.
Kryetarja e Kuvendit shprehu falenderimin dhe mirënjohjen e thellë në emër të Parlamentit të Shqipërisë , delegacioneve të pranishme në mbledhje, si dhe përfaqësuesve të të gjitha vendeve anëtare të EMPA-s. Kryetarja e Kuvendit duke vlerësuar EUROMED si “shprehje parlamentare” legjitime e Procesit të Barcelonës- Bashkimi për Mesdheun, nënvizoi se delegacioni shqiptar ndjehet shumë i lumtur që sot anëtarësohet në këtë strukturë, në një detyrë të përbashkët për të përmbushur objektivat e EUROMED, për të gjetur zgjidhje problemeve, e ndërmarrë nisma në interes të mirëkuptimit, besimit dhe bashkëpunimit”. Një falenderim të veçantë zonja Topalli ia drejtoi Kryetarit të Parlamentit Europian Pottering dhe Presidentit të radhës së Asamblesë parlamantare Euro–Mesdheut, njëherësh Kryetarit të Parlamentit të Jordanisë, Al-Majali.
Asambleja Parlamentare Euro-Mesdhetare (EURO-MED) është institucioni parlamentar i Procesit të Barcelonës me pushtet konsultativ, i bazuar në Deklaratën e Barcelonës.
Konferenca Euro-Mesdhetare e Barcelonës ka lançuar Partneritetin Euro-Mesdhetar me pikësynim promovimin e paqes dhe prosperitetit përmes një strategjie të përbashkët mbi çështjet politike, të sigurisë si dhe ato ekonomike, kulturore dhe shkëmbimeve humane.