E Diel, 1 Nëntor 2026

Arslan: Krasniqi do të fitojë me Dimitrenkon

Vëmendja e boksit të peshave të rënda është përqendruar te dueli ndërmjet kosovarit Luan Krasniqi dhe ukrainasit Aleksandër Dimitrenko, që do të zhvillohet më 15 nëntor në palestrën “Burg-Veshter Kastelo” të Dyseldorfit.

Gjatë gjithë kohës, Krasniqi është në shoqërinë e mikut të tij të ngushtë, boksierit turk, Firat Arslan. Ky i fundit, në një intervistë për “Bild”, ka shprehur besimin se kosovari do të triumfojë në përballjen e së shtunës. “Jam plotësisht i bindur se Luani mund të fitojë.

Ai është një boksier shumë i fortë dhe gëzon një formë mjaft të mirë”, deklaroi Arslan të martën.

Për kosovarin me pasaportë gjermane, po bëhen afro 500 ditë që nuk hipën në ring, megjithatë Arslan beson se kjo nuk do ta pengojë Krasniqin që të arrijë objektivin e tij: “Vitali Klitçko nuk ka boksuar për një kohë më të gjatë, por është bërë kampion i botës. Për më tepër, Krasniqi është stërvitur me intensitet”. Dimitrenko nuk ka asnjë humbje në karrierë dhe mban vendin e parë në renditjen e WBO-së.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›