E Shtunë, 31 Tetor 2026

Platini mbërrin dje në Tiranë, takim në FSHF dhe me ministrin Pango

Tiranë (Start)- Presidenti i UEFA-s, Mishel Platini, mbërriti dje në mesditë në vendin tonë. Kreu i organit më të lartë të futbollit europian u prit në aeroportin “Nënë Tereza” nga presidenti i FSHF-së, Duka, dhe zyrtarë të tjerë të federatës.

Platini vizitoi menjëherë selinë e FSHF-së ku pati një takim me drejtuesit më të lartë të futbollit shqiptar. Pas këtj takimi, Platini bashkë me Dukën, zhvilluan një takim me ministrin e Sporteve. Takimi në ambjentet e ministrisë ishte mjaft i ngrohtë, ku u diskutua për zbatimin e planeve për përhapjen e futbollit nëpër shkolla, dhe u bë një rezyme e gjendjes aktuale të futbollit shqiptar. Platini falenderoi të pranishmit për pritjen e ngrohtë dhe klimën e mirë që gjeti në marrëdhëniet e FSHF-së me ministrinë.

Në deklaratën pas bisedës trepalëshe ai u shpreh: “Një gjë theksova më shumë, që nuk jam unë ai që mund ta bëjë Shqipërinë të fitojë me skuadrat e tjera. Ndihma ime është që të ndihmoj në formimin e brezave të rinj të futbollistëve. Dhe këtë duhet ta bëjmë në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Futbollit dhe Ministrinë e Sportit”.

Pas kësaj konference ai u nis drejtë Durrësit ku inaguroi rikonstruktimin e ambjenteve të stadiumit “Niko Dovana”. Platini preu shiritin e inagurimit, dhe në shenjë simbolike iu dhurua një fanellë e Teutës me numrin dhjetë dhe emrin e tij. Më pas Presidenti i UEFA-s ndoqi një ndeshje miqësore të organizuar nga ekipet e moshave të reja.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›