E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arsyet e paarsyeshme të Qipros për Kosovën

Qipro do të marrë më 1 korrik të vitit 2012 presidencën e Bashkimit Europian, si rezultat i së drejtës së barabartë të të gjitha shteteve anëtare për të drejtuar me rotacion për gjashtë muaj BE-në. Kjo nuk duhet parë si një datë rutinë nga diplomacia e Shqipërisë dhe e Kosovës. Pa hyrë në analizën e përqasjes së dimensionit problematik të Qipros me dimensionin e mekanizmit gjigand politik, ekonomik dhe diplomatik të BE-së, e vërteta është se, megjithëqë e drejta e presidencës është e barabartë për të gjithë, nuk mund të thuhet se efikasiteti i drejtimit të BE mund të jetë barabartësisht efikas dhe rezultativ nga të gjithë. Në mënyrë specifike, politikat individuale të njërit apo tjetrit shtet kanë ndikuar që presidencat në disa drejtime mund të jenë më negative. Duke hyrë konkretisht në parashikim, duhet dyshuar shumë nëse Presidenca e Qipros do të jetë efikase për rolin e BE-se në zhvillimin e dialogut mes Serbisë dhe Kosovës dhe në sheshimin e rrugës së të dy shteteve për t'iu afruar sa më shumë BE-së. Bazë e këtij parashikimi është paragjykimi aprioristik, që karakterizon politikën dhe diplomacinë e Qipros ndaj Kosovës.
Arsyeja është se Qipro i përket grupit të vogël të pesë shteteve të BE-së, që nuk e njohin Kosovën. Një arsye tjetër, edhe më e madhe, është se Qipro shfaqet si shteti më i zëshëm në kundërshtimin e pavarësisë së Kosovës dhe të njohjes së e saj diplomatike. Ministri i jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiç, pas bisedimeve që zhvilloi me ministren e Jashtme të Qipros, Erato Kozakou Marcoullis, në Limasol më 14 tetor deklaroi se, Qipro nuk do ta njohë kurrë Kosovën dhe nuk do ta ndryshojë qëndrimin e saj të vendosur për të mos njohur pavarësinë e Kosovës. Shefi i diplomacisë serbe e cilësoi qëndrimin e Qipros ekstremisht të rëndësishëm për Serbinë.
Në mesin e pesë shteteve anëtare të BE-së, që nuk e njohin Kosovën, Qipro është shteti më i vogël, dhe ajo që tërheq vëmendjen nuk është qëndrimi i mosnjohjes, se sa zelli dhe emocioni i veçantë, që demonstrojnë zyrtarët e lartë të Nikosias kundër shtetit të Kosovës. Mund të thuhet se Qipro është më agresivja në shprehjen e kundërshtimit ndaj pavarësisë së Kosovës. Ndërsa katër shtetet e tjera anëtare të BE, që nuk e njohin Kosovën, me kalimin e kohës, dhe sidomos pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë më 22 korrik të vitit të kaluar për ligjshmërinë e aktit të pavarësisë, kanë mbajtur një profil gjithnjë e më të ulët, dhe shtete si Greqia dhe Sllovakia kanë njohur edhe pasaportat e Kosovës, Qipro vazhdon të mbajë një profil të lartë kundërshtimi, të cilin është vështirë ta gjesh në hapësirën euroatlantike. Edhe pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, si organi më i lartë juridik i OKB-së, se akti i shpalljes së pavarësisë nga Kosova është në përputhje me ligjin ndërkombëtar, Qipro ka vazhduar të shpallë se në rastin e Kosovës ajo i përmbahet parimeve të ligjit ndërkombëtar, pretendim që krijon disonancë me një vendim juridik të GJND.
Duke analizuar ecurinë e qëndrimeve të Qipros për Kosovën, nuk mund të mos bjerë në sy karakteri ekstremist dhe tepër i ngurtë. Zyrtarët e lartë qipriotë e kanë bërë si refren deklarimin se Qipro nuk do ta njohë kurrë Kosovën. Një programim kaq kategorik, dhe jo diplomatik, është vështirë ta bëjnë edhe vetë zyrtarët e lartë të Serbisë. Ministrja e Jashtme Erato Kozakou Marcoullis ka deklaruar madje se " edhe në qoftë se Qipro do të ishte i vetmi shtet anëtar i BE, që mban qëndrimin e mosnjohje së Kosovës, ajo nuk do ta ndryshonte qëndrimin e vet". Intransigjenca të tilla diplomatike, si rregull, kanë qenë ose janë karakteristike për diplomacitë e regjimeve komuniste.
As në planin diplomatik, dhe as në planin emotiv, Qipro nuk i ka sqaruar asnjëherë arsyet se përse ajo mban një qëndrim të tillë armiqësor ndaj Kosovës dhe ndaj shqiptarëve. Shqipëria dhe shqiptarët e kanë përkrahur gjithmonë dhe me konsekuencë shtetin e pavarur, sovran dhe unik të Qipros, dhe i janë bashkuar qëndrimit të njohur perëndimor të zgjidhjes së problemeve mes komuniteteve greke dhe turke nëpërmjet bisedimeve. As Shqipëria dhe as Kosova nuk e kanë njohur "Republikën Turke të Qipros Veriore". Kështu që është vërtet e vështirë të kuptosh arsyet e një qëndrimi të tillë të ashpër të Qipros. Nuk mund të kuptosh se përse ajo ka vendosur të mos i bashkohet grupit prej 22 shtetesh të Bashkimit Europian, të cilat e njohin Kosovën, dhe të cilat natyrisht e duan dhe e respektojnë ligjin dhe parimet ndërkombëtare, në mos më shumë, të paktën po aq sa edhe Qipro. Nuk mund të kuptosh se përse Qipro mbron me një zell pothuajse fetar pozicionin dhe interesat e Serbisë, dhe jo qëndrimin dhe interesat e 22 shteteve anëtare, të cilat natyrisht kanë arsye pse e njohin shtetin e pavarur të Kosovës.
E parë në këndin e një llogarie të ngushtë përfitimi nga një zgjedhje mes Serbisë dhe Kosovës, Qipro ndoshta fiton më shumë duke mbajtur anën e Serbisë, qoftë edhe për shkak të atyre miliardave dollarë të depozituara në bankat qipriote që nga koha e presidentit serb Sllobodan Millosheviç gjatë konflikteve të armatosura në ish Jugosllavi. Por e parë në këndin e një interesi më të gjerë politik dhe diplomatik, europian, atlantik dhe strategjik, nuk duket se Qipron do ta çojë gjëkundi ky fanatizëm diplomatik proserb ndaj Kosovës.
Qëndrimi refuzues i Qipros ndaj Kosovës nuk është se e përmirëson apo e bën më të fortë pozitën biseduese të qeverisë së Qipros në raport me komunitetin qipriot turk, në raportet me Turqinë, në raportet me SHBA, në raportet me Britaninë e Madhe, në raportet me OKB-në dhe me vetë BE-në. Për Perëndimin dhe shtetet e mëdha perëndimore, me të cilët Qipro ka të lidhur ekzistencën, zhvillimin dhe prosperitetin e vet, nuk ka asnjë lidhje mes rastit të Kosovës dhe rastit të Qipros. Nëse diplomacia serbe i fryn me qëllim formulës së precedentit për të trembur Qipron, është e qartë për të gjithë, përfshirë edhe udhëheqësit qipriotë, se garantuesit e vetëm të sovranitetit dhe të integritetit të Qipros janë në radhë të parë Perëndimi, SHBA, BE, NATO, dhe jo Serbia. Qipro nuk është e ngjashme me Serbinë dhe çdo paralelizëm artificial vetëm se shtrembëron rrënjët historike, politike dhe perpsektive të problemit. Qipro është e ngjashme me Kosovën dhe sa më realisht të shihet në Nikosia kjo e vërtetë, aq më e qartë do të bëhet edhe domethënia e pavarësisë së Kosovës.
Nëse Qipro do të vazhdojë të demonstrojë paragjykime dhe intransigjencë në rastin e Kosovës kur të ketë presidencën e BE, ajo do t'u japë një mesazh jo shumë besimdhënës diplomacisë dhe opinionit ndërkombëtar, se sa do të jetë në gjendje të menaxhojë situatat dhe bisedimet për çështjen e Qipros.
Ka një perceptim jo të drejtë, qoftë të situatave, qoftë të perspektivës së hartës gjeopolitike të Ballkanit, nga ana e diplomacisë qipriote. Ndryshimet e realizuara si rezultat i rrymës historike dhe i përputhjes së interesave dhe i veprimit të Perëndimit me këtë rrymë në Ballkan, jo vetëm nuk kthehen mbrapa, por venë në pozitë të pakëndshme historike ato shtete dhe forca, që i kundërvihen këtyre proceseve. Dhe kur janë shtete të vegjël, pasojat janë edhe më të pakëndshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›