E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapen maqedonasit, do fusnin në Shqipëri 10 kg heroinë

Qafë-thanë Një sasi e madhe heroine kapet në kufirin Shqipëri-Maqedoni. Plot 10 kg drogë e llojit heroinë janë sekuestruar nga forcat e policisë shqiptare në pikën kufitare të Qafë-thanës. Një shtetasi maqedonas i është gjetur sasia e madhe e drogës, që mendohet, sipas policisë, se, nëse shitej në treg, kapte vlerën financiare të rreth 1.5 milion eurove. Duke iu referuar burimeve që vijnë nga pika e kalimit, sekuestrimi i mallit është bërë rreth orës 14.30 të së dielës, ndërsa shtetasi maqedonas ishte duke u futur në vendin tonë dhe po kryente procedurat ndërkufitare. Një kontroll i policisë pas një sinjalizimi të ardhur që më parë, ka rezultuar i suksesshëm, ndërsa në mjetin me targa maqedonase është zbuluar sasia e madhe e drogës. Ndërsa kanë nisur hetimet për sasinë e madhe të drogës të kapur në kufi, në tentativë për të depërtuar në thellësi të territorit shqiptar nuk bëhet i ditur identiteti i transportuesit të drogës. Të njëjtat burime i kanë bërë të ditur gazetës se dyshohet që në këtë transport ndërkombëtar të heroinës të jenë të implikuar dhe persona të tjerë në Shqipëri. Në këto kushte identiteti i të arrestuarit nuk bëhet publik, ndërsa bashkë me mallin dhe mjetin që janë sekuestruar në kufi në cilësinë e provës materiale shtetasit të huaj i është konfiskuar dhe telefoni për të mësuar më shumë rreth kontakteve të tij me pritësit shqiptarë të mallit. Mendohet që droga të ishte destinuar të shkonte në Tiranë, por për të gjitha këto është duke punuar grupi i hetimit.

Irena Vreto

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›