Arrestohen katër persona në Tiranë, kapen me 120 kg hashash në makina
Operacioni “Halloween” i policisë vë në pranga katër anëtarë të një grupi narkotrafiku në kryeqytet
TIRANË Katër shtetas u arrestuan dje ndërsa janë kapur në afërsi të kryeqytetit me plot 120 kilogramë hashash të paketuar dhe të vendosur në dy fuoristrada. Në kuadër të operacionit “Halloween” policia arrestoi dje Shkelzen Hajdari, 32 vjeç, banues në Xhafzotaj Durrës, i dënuar më parë në shtetin Grek për trafik lëndësh narkotike, Aleksander Kola, 32 vjeç, banues në Dushnëz Tropojë, i dënuar më parë në shtetin Grek për trafik lëndësh narkotike, Eqerem Hoxha, 56 vjeç, banues në Xhafzotaj Durrës, Maliq Memo, 54 vjeç, banues në Shijak Durrës,. Bazuar në informacionet e marra në rrugë operative të Seksioni Kundër Narkotikëve në Policinë e Kryeqytetit u arrit kapja e tyre në afërsi të fshatit Pezë Helmës në Tiranë, përgjatë momenteve të transportimit të lëndës narkotike prej 120 kg, me dy automjete, tip Mitsubishi Pajero. Në sajë të një hetimi intensiv disa mujor u arrit goditja në kohë e kësaj linje shpërndarje me shumicë dhe tregtimi, lëndë e cila vinte nga qyteti i Durrësit me qëllim më pas tregtimin e saj në Kryeqytet. Nga kontrolli i ushtruar në automjetin tip “Mitsubishi Pajero”, u gjendën e 19 thasë të mbushur me bimë të dyshuar narkotike e llojit kanabis sativa, me peshë 120 kg. Gjithashtu gjatë kontrollit fizik të shtetasit Shkëlzen Hajdari, ju gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë Zastava model- 54, me një karikator dhe 9 fishekë. Burime nga policia e Tiranës saktësuan dje se ky grup ishte prej tre muajsh në vëzhgim dhe identifikimi I aktivitetit të tyre ka nisur pasi agjentë të policisë kanë rë informacion në terren se një prej anëtarëve të grupit të arrestuar ishte në gjendje të siguronte sasi të konsiderueshme hashashi dhe për t’i sjellë e tregtuar ato drejt Tiranës. Pasi janë informuar mbi “kapacitetet” e të dyshuarit agjentët e antidrogës së Tiranës kanë survejuar lëvizjet e tij dhe kanë arritur të mbledhin prova të mjaftueshme për të bindur gjykatësin që ta vënë në përgjim. Përgjimet kanë shpejtuar hetimin dhe kanë nxjerrë në pah dhe tre bashkëpunëtorët e tjerë të të dyshuarit ndërsa agjentët e antidrogës kanë pritur që katër të dyshuarit të kryenin dhe “goditjen e madhe” prej 120 kilogramësh hashash për ti vënë në pranga. Aktualisht hetuesit janë duke punuar për identifikimin e furnitorëve me hashash të këtij grupi, ndërsa të dhënat paraprake flasin se hashashi porositej dhe vinte drejt e nga Lazarati për tu magazinuar më pas pranë kryeqytetit. H.H.