E Diel, 1 Nëntor 2026

Braktiset nga investimet rruga drejt Qafë-Shtamës

 

BURREL - Braktiset nga investimet zona e Qafë-Shtamës. E njohur si një nga perlat e vendit tonë, ajo ka një sipërfaqe prej 2 mijë hektarësh dhe ndodhet rreth 25 km në verilindje të qytetit të Krujës. Në përgjithësi pamja e këtij parku është rrethore dhe mjaft piktoreske. Këtu si mjaft tërheqëse përmendet çesma e "Nënës Mbretëreshë" me ujë shumë të pastër, të ftohtë e kurativ. Është një zonë mjaft e frekuentuar për vlerat e larta kurative dhe ato të peizazhit që ajo ofron. Mirëpo ky vend mahnitës dhe i bukur është lënë në harresë. Jo vetëm nuk është investuar ndër vite, por është rrënuar nga banorët autoktonë dhe të ardhurit në këtë zonë. Rruga që të çon në Qafë-Shtamë është më keq se 20 vjet më parë dhe shumë me keq se 80 vjet më parë, kohë kur ajo u ndërtua. Rruga Krujë-Qafë Shtamë-Burrel-Qafë Murrë-Peshkopi është afro 120 km e gjatë, një segment rrugor i ndërtuar gjatë mbretërimit të Zogut. Ndërtimi i kësaj rruge 80 vjet më parë nuk është pak. Asokohe është zgjedhur traseja dhe e gjithë rruga është shtruar me kalldrëm. Gjatë viteve të monizmit kjo rrugë është mirëmbajtur dhe shfrytëzuar për qëllime të ndryshme. Shfrytëzoheshin pyjet, resurset natyrore të çmuara. Çdo fundjavë, kuptohet para viteve 1990 njerëz të shumtë, madje kolektiva punonjësish ngjiteshin në Qafë-Shtamë për të pushtuar. Gjendja e kësaj rruge nuk ka si bëhet më keq. Tani numri i mjeteve që lëvizin në këtë rrugë është mjaft i kufizuar, ose i papërfillshëm. Askush nuk merr mundimin të ngjitet në Parkun e Qafë-Shtamës. Objektet e dikurshme janë rrënuar, ndërkohë rruga është gati e pakalueshme.           h.p

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›