E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grindet me të dashurin, studentja hidhet nga kati 4

 

DURRES/ OERD ULQINI

Një ngjarje e rëndë ka tronditur opinionin durrsak mbrëmjen e së hënës. Një studente është hedhur nga kati i katërt i një pallati ku jetonte me qira, duke rrezikuar seriozisht jetën. Policia e Durrësit bëri të ditur dje, se tentativa për vetëvrasje e vajzës nga Bulqiza ka ndodhur rreth orës 23 e 30 minuta, në lagjen numër 1 të Durrësit. Studentja 21-vjeçare E.R., e degës Menaxhim-Turizëm në universitetin "Aleksandër Xhuvani" është hedhur nga kati i katërt i një banese, duke rënë mbi tarracën e një garazhi poshtë pallatit. Shoqet e shtëpisë së saj të alarmuara kanë lajmëruar policinë e Durrësit. Fakti që gjatë rënies, trupi i së resë është penguar në tarracë, e ka shmangur atë nga vdekja e sigurt. Në vendngjarje ka mbërritur menjëherë policia, e cila ka dërguar të lënduarën me shpejtësi për në spitalin rajonal të Durrësit. Pas një ndihme emergjente që i është dhënë, studentja është dërguar menjëherë në spitalin ushtarak të Tiranës. Sipas të dhënave, e plagosura ndodhet në reanimacion, në gjendje kome, duke lënë ende në mister për të njohurit e saj dhe grupin hetimor shkaqet e kësaj ngjarjeje. Policia e Durrësit konfirmoi dje se bëhet fjalë për një tentativë vetëvrasjeje, në kushtet e një depresioni të çastit. Grupi hetimor ka marrë në pyetje shoqet e dhomës së studentes me shpresë gjetjen e pistës së saktë, pasi ato janë të vetmet dëshmitare të momenteve para vendimit ekstrem të së resë. Nga burime jozyrtare mësohet se, tre shoqet e dhomës, me të cilat ndante apartamentin vajza nga Bulqiza, kanë treguar se dy ditët e fundit ajo kishte pasur debat me të dashurin e saj. Nuk dihen detaje të kësaj lidhjeje, por prej momentit të grindjes, 21-vjeçarja ishte shfaqur e shqetësuar. Derisa mbrëmjen e së hënës, në kushte të rënda psikologjike ndërmori veprimin që për pak i mori jetën. Kjo dëshmi e shoqeve është e vetmja që hedh dritë mbi motivet, deri në momentin kur e plagosura të dalë nga gjendja e rrezikut për jetën. Studentja banonte me qira në një apartament të këtij pallati së bashku me tre shoqe të veta, të cilat gjithashtu ishin studente. Studentja 21-vjeçare është nga Bulqiza dhe studionte në UAMD në vitin III-të të degës Menaxhim-Turizëm. Ajo ndodhet aktualisht në gjendje të rëndë në spitalin ushtarak, nën kontrollin intensiv të mjekëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›