Korçë, 75 gra me urdhër mbrojtjeje nga gjykata
KORÇE - Një numër i konsiderueshëm grash në Korçë janë pajisur me urdhër mbrojtjeje nga ana e gjykatës, për shkak të dhunës në familje. Gjatë 9 muajve të parë të këtij viti, gjykata ka vendosur 75 urdhra për mbrojtje ndaj të dhunuarave. Këto shifra janë bërë të ditura në prezantimin e një projekti 1-vjeçar për parandalimin e dhunës ndaj grave, që do të fillojë të zbatohet në qytetin e Korçës. Rasti i 39-vjeçares E.Hoxha, është më i fundit i ushtrimit të dhunës sistematike. Kjo grua e keqtrajtuar rëndë pak ditë më parë ka qenë dëshmia e gjallë që u paraqit në prezantimin e këtij projekti për gratë e dhunuara. "Kam 19 vite e martuar, por në 16 vite të kësaj martese kam provuar dhunën e vazhdueshme fizike të burrit tim F.Hoxha dhe vjehrrit tim", u shpreh 39-vjeçarja. Ajo është nga të paktat gra që ka vendosur të denoncojë dhunën e ushtruar ndaj saj dhe t'i japë fund martesës. Hoxha tregoi se me ndihmën e shoqatës "Gruaja korçare" së fundi ju drejtua gjykatës për të shpëtuar nga burri i saj i dhunshëm nëpërmjet divorcit. Gjykata i dha asaj kujdestarinë e dy fëmijëve të saj, 7 dhe 16 vjeç, si dhe një pjesë të banesës së ish- burrit. Por çdo natë që kërkonte strehën e saj, ajo rrihej nga ish-bashkëshorti i saj. Me sy të nxirë nga rrahjet, bashkë me fëmijët që kanë mbetur rrugëve, 39-vjeçarja apeloi për ndihmë. Bashkia e Korçës në bashkëpunim me shoqata që veprojnë në këtë qytet, i dha një zgjidhje problemit të saj, duke e strehuar në mjediset e një fondacioni, për ta larguar nga rreziku i dhunës dhe të jetuarit rrugëve së bashku me dy fëmijët e saj. g.a