E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arté, në shtëpi tek Kadare

Televizioni franko-gjerman Arté në Tiranë dhe sot në Gjirokastër për një dokumentar mbi Ismail Kadarenë. Në fokus: shkrimtari i “Kronikë në gurë”, intelektuali dhe regjimi, mediatori dhe influenca në opinionin e sotëm shqiptar. Regjizori Pierre Olivier Francois flet për fazën e parë të filmit

Arsyeja e udhëtimit të parë në Shqipëri është Ismail Kadare. Pierre Olivier Francois e çmon faktin që guidë e tij drejt jugut, me destinacion Gjirokastrën, është autori i “Kronikë në gurë”, vepra e preferuar gazetarit dhe dokumentaristit franko-gjerman. Qëllim është njohja e vendlindjes së shkrimtarit shqiptar dhe nga këtu Francois do të nisë ndërtimin e portretit të Kadaresë për një projekt filmik për televizionin franko-gjerman Arté. Në televizionin publik, ndër më prestigjiozët për kulturën, Francois, gazetar dhe regjisor i pavarur, prej vitesh merret me dokumentarë ku kryesisht trajton temat e kufijve gjuhësorë dhe gjerografikë. Një punë e tillë e ka shpënë deri në kufijtë e Koresë së Veriut për të cilën ka realizuar një dokumentar më 2004.

Ai punon gjithashtu dhe për të përjavshmen “Metropolis” dhe ka kohë që po merret me portrete të artistëve të rëndësishëm në botë. Një nga këta të cilin kishte menduar ta portretizonte kohë përpara është Ismail Kadare.

Nga seria e plotë prej 20 vëllimesh që është botuar në Francë, ka lexuar romanin për fëmininë në Gjirokastër “Kronikë në gurë”, “Prilli i thyer”, “Pallati i ëndrrave”, veprën publicistike, ndër të fundit “Hamleti, princ i vështirë”. “Them se e njohim Kadarenë, meqë ai prej vitesh jeton rregullisht në Francë është bërë një figurë e mirënjohur me letërsinë”, tha dje Pierre Olivier Francois, ndërsa kameramani i tij filmonte shkrimtarin në panairin e librit duke nënshruar për lexuesit veprat e tij. “Por, - shton regjisori i Arté-së, - “interesante për ne është që ta vendosim Shqipërinë në një hartë, jo në kuptimin historik, por mitik, në atë mënyrë nëpërmjet të cilës Kadare është në gjendje të rikrijojë një realitet historik duke u kthyer në epokën otomane, në gjysmën e parë të shekullit të njëzetë, në epokën komuniste më pas, dhe në kohën pas rënies së regjimit, pa përjashtuar ëndrrat, traditën, traditën e humbur, fantazmat, keqardhjet. Kjo përzierje është interesante për ne.”

Por nuk do të ketë asgjë fiksionale, të rikrijuar. Është personazhi dhe vendi, shkrimtari dhe Shqipëria. Do të jetë një portret, duke treguar Kadarenë këtu në Shqipëri, në shtëpinë e tij, dhe vend kryesor do të zërë biseda me të “për mënyrën se si ai e lidh historinë e tij personale me historinë e vendit të tij për ta bërë pastaj universale.”

Sigurisht që shkrimtari “do të pyetet” nga Arté për raportet e tij me politikën me regjimin dikur dhe rolin e tij në opinionin publik në vitet e tranzicionit, epokë që ai e ka kaluar ndërmjet Shqipërisë dhe Francës. Pierre Olivier Francois thotë se është i mirinformuar, ka lexuar mjaft për komentet që ai ka bërë mbi qëndrimin e tij dhe të veprës së tij nën regjimin komunist. “Gjithnjë tek portretet që i janë bërë Kadaresë palët kthehen tek ky moment në jetën dhe veprën e tij. Personalisht, kam udhëtuar shumë në Evropën Lindore dhe Qendrore që nga viti 1989, aktualisht sapo jam kthyer nga Rusia. E kuptoj që në Shqipëri gjendja ka qenë krejt ndryshe nga vendet e tjera të bllokut komunist. Di gjithashtu se që t’i mbijetosh një regjimi si ai nuk është gjithnjë e mundur. Ta përballosh regjimin sy më sy apo në mënyrë më të drejtpërdrejt, është një zgjidhje interesante por për një kohë të shkurtër ama. Pastaj do të përfundoje në burg. Për hir të atij guximi ky shkrimtar ndoshta nuk do të ishte këtu sot.”

Ky është në linja të përgjithshme potreti që ka ndërtuar në kokë deri tani regjisori.

Ai nuk e shpreh kuriozitetin për të dëgjuar opinionet e njerëzve të zakonshëm mbi këtë figurë që e ka sjellë në Shqipëri.

Dokumentari është në hapin e parë, por autori mendon se në pranverë të vitit që vjen mund të ketë mbaruar një pjesë e mirë e punës.

Televizioni i famshëm evropian nuk ka pasur në fokus tema nga Shqipëria. Ndoshta dokumentari për shkrimtarin Ismail Kadare është e para vëmendje,

Tjetër gjë që është shfaqur nga Shqipëria në ekranin e Arté-së, është e para dy viteve, një dokumentar prodhim francez mbi virgjëreshat betuara në veriun e Shqipërisë.

----------------------------------------------Autografe mbi “Darkën e gabuar”

Shkrimtari Ismail Kadare nuk ka munguar edhe në këtë edicion të 11 të Panairit të librit. I rrethuar gjatë gjithë kohës nga lexuesit dhe telekamerat shkrimtari,ka preferuar të njëjtën formë komunikimi: autografë në librat e tij. Vizita e Kadaresë këtë vit në ndryshim nga vitet e tjera ka qenë më e qetë. Adhuruesit e shkrimtarit nuk janë dyndur duke krijuar kaos, por formuan një radhë që gati-gati mund të quhej elegante.

Njerëz të moshave të ndryshme, fëmijë e deri moshatarë e më të vjetër se shkrimtari kanë parakaluar para tavolinës për të marrë autografe. Titujt që kaluan në duart e Kadaresë për dedikime nuk ishin shumë të larmishëm. Mbizotëronte romani i fundit, “Darka e gabuar”. Kishte dhe nga ata lexues që preferonin që autografin e Kadaresë ta kishin në ndonjë prej veprave të korpusit të plotë, që deri tani “Onufri” e ka sjellë tek vëllimi i dhjetë, pra gjysma.

Y.L

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›