Çufoja president? I pjekur po edhe i djegur
Gaqo Bushaka paraqiti dje në Panairin e Librit “Tirana 2008”, jetën moderne të të famshmit Çufo. Mban titullin “Çufoja president” dhe është një udhëtim imagjinar në realitetin e ditëve të sotme. Një derrkuc që kandidon për postin e presidentit, rruga dhe vështirësitë që has nuk kanë të krahasuar me ato të një kandidati të vërtetë.
Personazhi që ka shoqëruar fëmijërinë e mijëra njerëzve duket sikur e ka humbur magjinë e tij, sepse në prezantimin e aventurës së radhës së derrkucit Çufo mungonin lexuesit e vegjël. Leximi i “Çufoja dhe bubi Kaçurrel”, “Çufoja në shtëpinë e çudirave”, “Filmi i gjeneral Çufos” dhe “Pushimet e Çufos” ka bërë që ky personazh të mbijetojë dhe të bëjë prapësira për afro tre dekada. Simboli i shpirtit të lirë dhe aventurier që e jetonte jetën si t’i vinte, gjithmonë gjen një zgjidhje për problemet, shpesh qesharake por që asnjëherë nuk e linin pa gjë. Qëllimi i një letërsie si kjo e Bushakës është paraqitja e së përditshmes në të vetmen mënyrë që fëmijët kuptojnë, nëpërmjet humorit dhe situatave komike.
Ai u sjell fëmijëve gjëra që atë vetë nuk mund t’i bëjnë dot, “gjërat e të mëdhenjve”. Personazhi i Çufos lindi në një kohë kur letërsia për fëmijë po kalonte një moment jo të mirë, në vitet shtatëdhjetë. Ai u krijua si një nevojë për të shpërfillur zymtësinë e të përditshmes, për të jetuar me më shumë ngjyra dhe në mënyrë gazmore. Për autoren e librave për fëmijë Shpresa Vreto, kjo mënyrë komunikimi nëpërmjet humorit është më efikasja për edukimin e brezit të ri. “Gabimet e fëmijëve duhen paraqitur në mënyrë qesharake, asnjëherë nuk duhen marrë në mënyrë serioze. Kjo eviton që në të ardhmen ata të mos vërtiten rrugëve me armë në dorë apo të vrasin veten”.
Botuesja në vite e Bushakës, Brikena Çabej, duke vënë në dukje “pozitat” e personazhit Çufo në ditët tona, përmendim propovimin e padëgjuar që qarkullon në forumet on line nga lexuesit e hershëm të aventuarave të derrkucit. “Gaqo Bushakës dhe Çufos u duhet ngritur një monument”. Sigurisht, autori vuri buzën në gaz dhe aty për aty iu përgjigj pyetjeve të mëposhtme.
Qysh kur ka nisur krijimi i Çufos president?
Kam 5 vjet që punoj. Është një libër në vazhdën e të tjerëve, por ka edhe ndryshime të cilat i kërkon koha. Pavarësisht se një seri është nisur dikur, unë mendoj se libri ecën bashkë me kohën. Libri ka një tematikë pak të veçantë. Një ditë fëmijët marrin qeverinë, kthehen, u kërkojnë llogari të rriturve dhe kryejnë të gjitha veprimet që mund të kryhen në politikë. Nuk mund të tregojë përmbajtjen sepse librat e mi nuk kanë përmbajtje. Miqtë e mi thonë që ky është më i miri nga të pestë vëllimet, por unë nuk di ç’të them.
Përse kësaj radhe derrkucit i duhej dhënë një post kaq i lartë, si i presidentit?
Sepse unë e nderoj këtë post. Për mua presidenti është një figurë që i bashkon të gjithë. Nuk kanë rëndësi emrat, por institucioni i presidentit.
Peripecitë e këtij heroi kanë qenë nga më të çuditshmet, por asnjëherë nuk kanë pasur të bëjnë më politikën. Tani kemi një Çufo që blen votat me kastravec, është i përfshirë edhe në fenomenin e Dushkut. Si është e mundur kjo lidhje?
Thashë, fëmijët jetojnë me ne dhe i dëgjojnë të gjitha, por ama në libër gjithçka zgjidhet nëpërmjet humorit që edhe t’i kuptojnë, edhe ndonjë gjë të mos ta mbartin më vonë me vete. Natyrisht që besoj se edhe ti ke gjëra që nuk të pëlqejnë nga zgjedhjet tona. Mos ma thuaj, mbaje, s’ka gjë.
Ju e keni krijuar personazhin e Çufos në vitet ’70 dhe aktualisht po shkon drejt të dyzetave. Cila është mosha në të cilën ai ja ka kaluar më mirë?
Çdo moshë është e bukur. Unë kam kapur tek Çufo gjithmonë anën humoristike, kështu që ndonjëherë nuk dallon fort dhe mosha. Natyrisht që ky libër i fundit është një çikë i rënduar, është edhe për të rriturit. Mosha evoluon. Më përpara thoshim: Këta fëmijë kanë lindur me 7-vjeçare, tani besoj që kanë lindur me të mesme. Kuptohet se televizioni, celularët, interneti, bëjnë punën e tyre. Megjithatë unë kam një këshillë, në përgjithësi nuk jap këshilla: nuk duhet të ndahen nga libri, sepse në libër, veç të tjerave mëson edhe gjuhën shqipe që është gjëja më e madhe.
Pra, është një libër për të nxënë edhe të rriturit, meqë Çufo është pak më i pjekur?
Është pak më i pjekur, por do ta shikoni është edhe më i djegur.