Lushnje, hapet Universiteti Bujqësor
Lushja do të ketë universitet dhe ditën e hënë do të hapë dyert për studentët e parë. Ky institucion i lartë arsimor do ta ketë rezidencën e tij në Qendrën e Transferimit të Teknologjive Bujqësore që ndodhet në qender të qytetit. Hapja e Universitetit Bujqësor ka qenë një kërkesë e vazhdueshme e komunitetit lushnjar për t’i hapur rrugë arsimimit të të rinjve dhe fuqizuar bizneset që janë të profileve të ndryshme. Kështu bëhet e ditur se në fillim do të hapen dy degë që janë Agrobiznesi dhe Financë-Kontabilitet, nga katër degë të planifikuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Drejtori i Universitetit Bujqësor në Lushnje, Vladimir Bano, thotë se janë regjistruar studentët e parë në degët Agrobiznes dhe Financë-Kontabilitet dhe po bëhen të gjitha përpjekjet e duhura për të rritur numrin e tyre në të ardhmen. Studentët e parë që do ulen në klasat e këtij Universiteti vijnë nga qytetet, Lushnje, Tiranë, Fushë- Krujë, Kukës etj. Nga stafi drejtues i Universitetit mësojmë se nuk janë plotesuar kuatat e fillimit në degët e planifikuara për arsye se studentet kanë preferuar të shkojnë në Universitete që kanë staf tëmadh mësimdhënieje dhe lidhje më të afërta me homologë në shtete të tjera. Zëvendës Dekani i degës Financë-Kontabilitet i Universitetit Bujqësor të Kamzës, Maksim Meçe, në një komunikim me mjetet e informacionit publik në Lushnje u bëri thirrje studentëve të rinj të rretheve Berat, Fier, Vlorë Kavajë, Elbasan etj, që të ulen per t’u shkolluar në Universitetin e Lushnjes, pasi kjo qendër mësimdhënieje ofron kushte shumë të mira studime për të gjithë ata që e kanë nivelin e te ardhurave ekonomike të kufizuar. Ndërkohë diplomat do të jenë ekuivalente me studentet që mbarojnë në Tiranë dhe Universitetet e tjera të vendit. Sipas drejtuesve me shtimin e degëve të tjera Universiteti do të marrë formen e tij të plotë dhe synohet që brenda 3-4 vjetëve në ketë Universitet të studiojnë jo më pak se 500 studentë.