E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cana, mungesa e radhës ndaj Azerbajxhanit

Kombëtarja nis sot grumbullimin në Baku, teksa vetëm 10 lojtarë do të jenë në ditën e parë

Lorik Cana nuk do të jetë në miqësoren që do të zhvillojë kombëtarja me Azerbajxhanin, më 19 nëntor. Lajmi bëhet i ditur nga shefi i ekipeve kombëtare, Ermal Kuka. Sipas këtij të fundit, trajneri Ari Han i ka dhënë leje mesfushorit për shkak të anagazhimit të madh që ai ka me Olimpikun e Marsejës. Përveç ndeshjes të vlefshme për kampionatin francez, kapitenit shqiptar të Marsejës i duhet të luajë edhe ndaj Liverpulit për Ligën e Kampioneve, më 25 nëntor. Kjo ndeshje e rëndësishme me anglezët ka detyruar Canën që t'i marrë leje trajnerit kuqezi, i cili e ka mirkuptuar lojtarin. Kështu, pas mungesave për shkak dëmtimi të portierit Arjan Beqaj, kapitenit Altin Lala, si dhe sulmuesit Erion Bogdanit, mesfushori Lorik Cana bëhet futbollisti i katërt që do të mungojë në testin e së mërkurës. Mungesën e këtij të fundit, holandezi i kombëtares nuk e ka zëvendësuar me ndonjë lojtar tjetër, kështu që në Azerbajxhan të gatshëm do të jenë vetëm 18 kuqezinj. Pikërisht sot do të nisë edhe grumbullimi në Baku i kombëtares. Vetëm 10 lojtarë do të sistemohen sot në "Grand Hotel Europa", që ndodhet në kryeqytetin azerbajxhanas, ndërsa pjesa tjetër vjen të hënën, për shkak të angazhimeve me klubet. Itinerari i udhëtimit do të jetë fillimisht drejt Stambollit, e më pas direkt për në Azerbajxhan. Në aeroportin e qytetit turk kuqezinjtë duhet të presin katër orë. Ndërkohë, stërvitjen e parë trajneri Ari Han e ka programuar për të hënën në mbrëmje, kur do të ketë të gatshëm të gjithë lojtarët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›