Xhani: Të ikë Ilir Shulku, ndryshe nuk luajmë!
Pas gjykimit vrasës në ndeshjen ndaj Elbasanit, presidenti i Partizanit Albert Xhani, i lodhur nga padrejtësitë që i janë bërë ekipit të tij në këtë kampionat, ka shigjetuar direkt shefin e sektorit të garave në FSHF, Ilir Shulku. Kreu i të kuqve, tani kërkon "kokën" e atij që e organizon këtë kampionat.
"Boll më me këto skandale, që gjithnjë kur i bëhen Partizanit etiketohen si gabime njerëzore! Tani, shefi i sektorit të garave, Ilir Shulku, le të dalë në media dhe të mbrojë gjyqtarët. Nëse institucioni i futbollit shqiptar nuk heq Shulkun nga kjo detyrë, Partizani nuk do të luajë në ndeshjen e radhës me Lushnjën. Çdo gjë e ka një kufi,"- ka thënë i irrituar Xhani, menjëherë pas barazimit me Elbasanin, ku në fund të lojës gjyqtari Albano Janku nuk i akordoi një 11-metërsh thuajse neto. Tashmë, presidentit të Partizanit nuk i bën më përshtypje ajo që u ndodhi dje të kuqve, pasi "kupa" ka kohë që është mbushur. Këtë herë, makth bëhet jo vetëm kryesori Janku, por edhe anësori Maloku, të cilët u munduan t'ia delegonin përgjegjësinë njëri-tjetrit, pas rrëzimit në zonë të sulmuesit Ngjela. Në lidhje me kryesorin Janku, presidenti i të kuqve rezervon edhe një batutë për mediat.
"Babai i gjyqtarit Janku, Mikeli, një figurë e njohur e Partizanit, "qan" nëpër televizione gjendjen ku ndodhet ekipi ynë, dhe me të drejtë. Mirëpo, i biri i tij nuk do t'ia dijë dhe e ndëshkon me qëllim Partizanin." Sipas Xhanit, kjo është ndeshja e pestë që ekipi-legjendë i futbollit shqiptar ndëshkohet nga gabimet e qëllimshme të gjyqtarëve. "Jemi lodhur vërtet me këto gjykime, të cilat, si për çudi, vetëm ndaj ekipit tonë ndodhin. Janë plot pesë ndeshje të kontestuara dhe të humbura prej arbitrimit të qëllimshëm të këtyre matrapazëve. Tani çfarë ngelet të na thonë, kur ne dënohemi në këtë mënyrë të turpshme? Me siguri ndonjë do të thotë që gjyqtari do të dënohet. Kështu u bë edhe pas ndeshjes me Bylisin, ku vetëm gjyqtari Guçe mendoi që ishte penallti ai rast qesharak i ballshiotëve. Sot (dje) ndaj Elbasanit nuk është vetëm momenti i mosdhënies së penalltisë në fund të ndeshjes, por edhe para këtij rasti Bakaj u rrëzua në zonë, kur kishte mundësi të shënonte, ndërkohë që për Jankun nuk ishte kështu. Por duke lënë pas këto dy raste, të gjithë e vëzhguan se si e shënoi golin e barazimit Elbasani. Vërtet ishte një gol i bukur, por Ahmataj, përpara se të godiste, shkaktoi një faull neto ndaj lojtarit tonë. Atëherë, çfarë na ngelet të themi për këtë gjyqtar që mban stemën e FIFA-s dhe në fund, porsi një dhelpër, mundohej t'ia faturonte anësorit fajin, duke hequr veten mënjanë, edhe pse ishte pesë metra larg aksionit?" Ndërkohë, pas ndeshjes, edhe trajneri Josa i Elbasanit e pranoi në heshtje që të kuqve iu mohua 11-metërshi, teksa nga ana tjetër u shpreh që Partizani humbi dy pikë. Edhe pas kësaj ndeshjeje, ku u duk se të kuqtë arritën fitoren e dytë në këtë kampionat, përsëri në skenë, dashje pa dashje, dolën gjyqtarët.