E Hënë, 2 Nëntor 2026

"Art", një përplasje e egër e "unave" njerëzorë

24/03/2005  Ata ishin tre shokë të vjetër, njëri më i ndryshëm se tjetri. Një ditë, njëri prej tyre, (Neritan Liço), bleu një vepër arti, shumë të shtrenjtë. Tjetri e pa (Elidon Fino). Nuk i pëlqeu aspak dhe, meqenëse e donte shumë mikun e tij, nuk mund t'ia falte, që kishte shpenzaur kaq shumë për një "copë plehrë", por mbi të gjitha pa u konsultuar me të. Dy miq që janë në një konflikt mendimesh dhe perceptimesh... Dikush ka të drejtë, por kush? Epo, ata janë tre dhe mendimi i të tretit (Genci Fuga), mund të sjellë paqen midis dy miqve tepër të nervozuar me njëri-tjetrin. Por ky person i tretë, nuk mund të sjellë paqe, pasi është pak servil, pak i pavendosur, thjesht një njeri që nuk ia prish askujt. Por a është e mundur vallë, që një mosmarrëveshje për cilësinë e një pikture, të prishë shoqërinë 15-vjeçare të tre miqve? Sigurisht që po! Por jo thjesht piktura, në thelb egoizmi, uni i "çmendur" njerëzor, që shpesh i kalon të gjitha parametrat. Kjo është në pak fjalë rezymeja e veprës "Art", shkruar nga autorja franceze Yasmina Rezo, vënë në skenë nga regjisori Mehmet Xhelili, një vepër, e cila për rreth 1 orë e 20 minuta, provokoi të qeshura të pafund në sallën e Teatrit Kombëtar. Një vepër, e cila vjen për herë të parë në këtë skenë, në kuadrin e Javës Franceze në TK. Një vepër e thjeshtë në pamje, por me shumë mesazhe të forta në vetvete, në një përpjekje për të treguar se kush jemi ne. Duke ndjekur situatë pas situate ngjarjet, çdokush mund të shikojë vetveten apo të njohë shumë veta nga rrethi i tij miqësor. Eshtë e pabesueshme, por snobin, egoistin dhe servilin (apo neutralin), i ndeshim kudo në jetën tonë, e ndoshta, të gjithë mund të kemi brenda nesh elementë të tre personazheve të pjesës "Art" (kjo për të qenë të sinqertë, në rast se duam). E sjellë në skenë me shumë finesë dhe e kuruar mirë, si në skenografi, ashtu edhe në kostumografi, kuadri i shfaqjes u kompletua në mënyrë perfekte nga loja e aktorëve Fino, Fuga e Liçaj. Një zbërthim i detajuar i karaktereve, në të gjitha parametrat, plastikë, gjestikulacion, lëvizje. Interpretime kaq bindëse e realiste sa, shpeshherë, të vjen të ulërish nga dhimbja për natyrën e njerëzore, për atë çka fshihet brenda nesh. Një pjesë teatrale, e cila të bën të reflektosh e të dyshosh, por, që pa dyshim të bind se kemi shumë për të korrigjuar, gjatë gjithë jetës në veten dhe karakterin tonë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›