E Hënë, 2 Nëntor 2026

Dizdari anulon datën e Kongresit, kryesia kërkon rrëzimin

24/03/2005  Limoz Dizdari, kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve ka anuluar dje mbledhjen e kryesisë. Për këtë shkak, as dje nuk është vendosur data se kur do të “rifillojë” punimet Kongresi i pestë e LSHA-së. Ndërsa arsyeja që ka paraqitur Dizdari për kthimin në shtëpi të “krerëve” të Lidhjes, ishte mosparaqitja e një të tretës së anëtarëve të kryesisë në mbledhjen e djeshme. Kjo është kundërshtuar me forcë nga anëtarët e pranishëm, duke vazhduar mbledhjen e improvizuar dhe pas ikjes së Dizdarit. Megjithëse nuk dihet se e sata tentativë është për të thirrur një kongres jashtë firmës së Dizdarit, por kundërshtarët e tij dje kanë vendosur që të dalin së shpejti me një deklaratë ku të caktohet data e Kongresit dhe të kërkohet rrëzimi automatikisht i kreut të Lidhjes. Në fjalën e tij, skulptori Perikli Çuli, duke qëndruar sërish në rebelizmin e tij për ngjarjet e Lidhjes, është shprehur se godina është problemi më kryesor, ku nuk dihet se çfarë do të bëhet me të. Kjo është dhe vëmendja më e qartë e shumë opinioneve që po vërdallosen mbi fatin e kësaj OJQ-je, që dikur ishte ferri dhe “lumturia” e shkrimtarëve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›