E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rugova është goditur më armë dhe jo eksploziv

24/03/2005  Ekskluzive: Ekspertë të luftës kundër krimit flasin për rrethanat e sulmit kundër Presidentit Rugova

Gjurma e cakut të sulmit, që shihet në xhamin e veturës, ku ka qenë i ulur Presidenti Rugova, flet qartë se nuk është fjala për ndonjë shpërthim të ndonjë mjeti eksploziv, por për një gjuajtje-sulm me armë të sofistikuara nga distanca

Pas sulmit ndaj Presidentit të Kosovës, dr.Ibrahim Rugova, policia e UNMIK-ut dhe ajo e SHPK-së për hetime kriminale kanë hapur edhe një dosje në ndjekje të kriminelëve. Por, bazuar në deklaratat e deritashme zyrtare të policisë së UNMIK-ut dhe SHPK-së e mbi të gjitha bazuar në shkallën e ulët të efikasitetit të zbulimeve të llojit të krimeve të tilla, pak mund të shpresohet se do të gjenden autorët e këtij akti terrorist. Madje, prej ditës së parë e deri më sot zyrtart e SHPK-së edhe më tutje “dyshojnë” se ky akt ka qenë i drejtuar ndaj Presidentit të Kosovës, dr.Ibrahim Rugovës. “Ende nuk kemi të dhëna të sakta se cak i këtij sulmi ka qenë Presidenti i Kosovës”, është kryefjala e prononcimeve zyrtare të zëdhënësve të SHPK-së. Një “dyshim” dhe “paqartësi” të tillë e kanë shprehur në deklarat e tyre edhe disa parti politike, e veçanarisht PDK-ja, e cila me asnjë fjalë të vetme nuk e ka theksuar faktin se ky ishte një sulm ndaj Presidentit të Kosovës.

Ndërkohë, përderisa “hetimet vazhdojnë” nëpër zyra dhe në terren, nga ana e njësisë për krime të rënda të policisë së UNMIK-ut dhe SHPK-së, ekspertë të luftës kundër krimit të organizuar kanë një qasje dhe mendim tjetër për sulmin ndaj Presidentit Rugova. Për shkak të natyrës së hetimeve dhe efikasitetit të punës së tyre, ata dëshirojnë të mbesin anonimë. Por, ata tashmë kanë mbledhur mjaft fakte dhe shënime, që mund të konkludojnë, së paku një të vërtetë: Nuk bëhet fjalë për shpërthim - Presidenti është sulmuar me armë nga distanca.

Gjurmët e sulmit në xham të veturës, përjashtojnë mundësinë e shpërthimit të ndonjë mjeti shpërthyes

“Duke u mbështetur nga të dhënat faktike në vendin e ngjarjes, të cilat i kemi parë dhe i kemi mbledhur edhe vetë ne, përfundimisht mund të konkludojmë se në aktin terrorist të ditës së martë, më 15 mars të këtij viti, nuk ka ndodhur kurrfarë shpërthimi i ndonjë mjeti shpërthyes, por fjalë është për një sulm të organizuar terrorist”, thotë në fillim ky ekspert për luftë kundër krimit të organizuar.

“E para, vetë gjurmët e xhamit të veturës, ku ka qenë Presidenti Rugova, flasin vetë. Aty shihet një plasaritje në rreth e xhamit, që ndodh zakonisht kur gjuhet me ndonjë predhë apo gjuajtje direkte. Në rastin konkret kemi të bëjmë me një bashkëveprim të armatimit, të sulmit të drejtpërdrejtë me armë të sofistikuar eksplozive.

E dyta, gjurmët në vendin e ngjarjes nuk flasin për ndonjë shpërthim të ndonjë mjeti eksploziv. Kështu ka ndodhur vetëm shpërthimi i një gome të veturës, që në rastet e tilla është normale dhe ndonjë dëmtim i lehtë anësor i kësaj veture. Në të kundërtën, po të kishte ndodhur ndonjë shpërthim, nga ndonjë konteinier i bërllogut, siç po thuhet, atëherë më shumë sesa vetura e Presidentit do të dëmtohej vetë kontenieri i bërllogut, apo edhe lokalet e tjera pranë rrugës. Pra, do të hidhej në erë, së paku ai konteinier i bërllogut, ku po thuhet se ka qenë i vendosur mjeti eksploziv! Ndërkaq, faktet flasin ndryshe. Përpos ndonjë lëvizje, vendi të dy-tre konteinierëve të bërllogut, asnjë dëmtim tjetër nuk ka ndodhur në këta konteinierë.

E treta, vetë sulmi mbi veturën ku ka qenë Presidenti, e jo të ndonjë veture tjetër të konvoit të Presidentit, është argumenti më i fortë që flet se cak i këtij sulmi ka qenë Presidenti Rugova”, thotë bashkëbiseduesi ynë.

Autori i këtij sulmi, një kriminel me përgatitje të lartë profesionale

Duke mos dashur që të ngris tensione, apo të fus frikë e shqetësim, por më tepër për të ngritur seriozisht çështjen, ky ekspertë shton se autori i këtij sulmi duket se ka qenë një kriminel me përgatitje të lartë profesionale. “Ai ka qenë tepër preciz në sulmin e tij. Ka shtierë në veturën që ka qenë në lëvizje, gjë të cilën mund ta bëjnë vetëm terroristët e përgatitur e të shkolluar në qendra të mëdha të organizimit të krimit. Ky terrorist, megjithëse ka shtier prej një distance jo të largët, ka arritur të largohet nga vendi i krimit pa lënë ndonjë gjurmë të theksuar”.

Ky ekspert i luftës kundër krimit të organizuar shton se sulmi ndaj Presidentit të Kosovës dr.Ibrahim Rugovës, shton nevojën e domosdoshme të krijimit të Shërbimit Intelegjent të Kosovës. “Neve na duhet që sa më shpejtë të krijojmë “CIA”-n tonë. Vetëm kështu mund të parandalojmë sulmet terroriste qofshin ndaj personaliteteve të larta, siç është ky rast, qoftë të veprimit të shërbimeve sekrete të vendeve fqinje, posaçërisht atij serb, dhe të shërbimeve të tjera të vendeve të ndryshme. Kosova është shndërruar në një “El Derado” e shërbimeve të huaja sekrete. Kjo është e patolerueshme. Ne shpresojmë se me krijimin e shtetit të Pavarur të Kosovës, edhe ne do të kemi shërbimin tonë të inteligjencies”, thotë në fund ky ekspert i njohur për luftimin e krimit të organizuar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›