E Hënë, 2 Nëntor 2026

Zguro: “The end” nga errësira

24/03/2005  Lojë fjalësh apo duhet të fillojmë të besojmë se intuita qëndron përpara arsyes së kulluar. Censura e emocioneve për shkak të konkluzionit ka mbërritur në një dilemë gati ekzistencialiste për dy të rinj që vijnë, nesër në mbrëmje, në projektin “Tirana overgraund”. Kuratori Fani Zguro i vendos dy autorët nën konceptin e tij “Finissage”, një huazim momental nga frëngjishtja, që në shqip do të thotë mbyllje. “Titulli ka marrë shtysë nga vetë punët e përzgjedhura të artistëve pjesëmarrës”, thotë Zguro.

Në rastin konkret, Lora Arbana, e cila vjen pas një periudhe studimi në Nju-Jork, prezantohet me një video art, e cila në vetvete s’është tjetër, veç një moment intim. Arbana improvizon në bashkëpunim më kameran dixhitale një filmim të vetvetes, teksa këndon një nga këngët e saj të preferuara. Ndërsa artisti tjetër Florian Vika, ish-student në Akademinë e Arteve të Bukura të Firences, prezantohet me një vizatim, të cilin e lë të papërfunduar, duke i shkuar pas teorive të Da Vinçit.

“Lidhja midis të dyve krijohet në procesin e punës, i cili nuk përfundon, për motive të caktuara. Lora nuk preferon studiot muzikore dhe ofertat për videoklip të Antoni Corbijn, ndërsa Floriani teksa vizaton në studion e tij, për një çast sjell ndërmend teoritë e profesor Da Vinçit rreth pikturës, e cila është e përfunduar në çdo moment.

Të dyja punët kanë një tjetër lidhje të përbashkët për ironinë e kohës dhe hapësirës”, shpjegon Zuguro. Videoja e artistes është realizuar në një ambient të mbyllur, ku drita është mjaft e dobët dhe krijon një imazh noktun të planit. Ndërsa vizatimi i Vikës është një fragment, i cili të kujton shkëmbinjtë e zinj të Da Vinçit në pikturën e “Monalizës”.

Për rrjedhojë të asgjësë, që i kundërvihet diçkaje, sipas Zguros, përftohet ideja se: asgjëja e diçkasë është reale dhe ekziston. Në këtë rast, duke qenë të dy në konceptin e kuratorit Zguro, se errësira motivon dy realizime punësh në zhanre të ndryshëm dhe mbyllja e tyre në një moment fillestar vendos titrat: The End!

Pikërisht në këtë moment realizohet alkimia e dy autorëve, duke shkuar pas ëndrrave të ngjyrave. Për këtë arsye, për çdokënd mund të lind natyrshëm pyetja: Për çfarë ndihmon errësira në kryeqytetin e ëndrrave me ngjyra? “Për të harruar – për t’u fshehur – për t’u arratisur nga një realitet surreal apo për t’u ulur me veten dhe biseduar me të? Kundrejt sipërores nuk ka rrugëzgjidhje tjetër përveç dashurisë!”, jep një shpjegim mbi bazën e performancës, Zguro. “Tek ‘Finissage’, kjo vjen kështu: kundrejt sipërores nuk ka rrugëzgjidhje tjetër përveç arratisjes! Kjo e fundit nuk ekziston vetëm në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Mbylle 24-orëshin standard me buzëqeshje apo ngërdheshje: bëj kolazh me veten”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›