E Diel, 1 Nëntor 2026

Art pa vizë

Në krah të majtë të ambasadës gjermane, pasi kalon në një verandë me një kthesë 90-gradëshe, përputhshmërish me konstruktin anësor të godinës, futesh në një kthinë, e cila është një nga hyrjet në ambasadë, por jo ndër kryesoret, e në krye të saj, aty ku kulmon një derë, pas së cilës vjen një tjetër ambient si parasallë, ngjitur me tavanin, janë montuar dy antena parabolike me kokë, ku në sipërfaqet e tyre të brendshme janë pikturuar dy silueta njerëzish që i drejtojnë njëri-tjetrit simetrikisht tutat e armëve që mbajnë ndër duar. Është një ndër veprat në instilacion të Ardian Isufit, pjesë e një ekspozite të hapur që para dy ditësh në këtë ambasadë. Punimi në fjalë luan rolin e përshëndetësit, ftuesit, por e thënë jo kaq ëmbëlsisht, provokativit për të vijuar më tej, deri te salla e madhe, ku nëpër muret e saj janë varur vepra të tjera të Isufit, të përzgjedhur nga ciklet "Fjalori jeshil" dhe "Shenja njerëzore".

Ajo vepër, për të cilën duhet të mbash kokën lart për ta zhbiriluar deri në fund, luan me idenë e të marrit peng... të njëri-tjetrit në këtë botë të zallamahimshme, ku robi është një peng shumëformësh e shumëmotivësh. Dhe, sipas shpjegimeve të autorit, kjo ndihet më së shumti në botën e komunikacionit, informacionit, asaj çka japim e marrim, si lajm, ndodhi, kumt, duke mbajtur peng ndërsjelltazi njëri-tjetrin me këmbëngulje mizore.

9 janar 2004. Otranto gëlltit të tjera jetë njerëzore. Nuk ka ndonjë vepër me subjekt të drejtpërdrejtë nga kjo tragjedi. Por ka spunto prej saj, që e ka detyruar Ardian Isufin të krijojë një vepër me subjekt ëndrrën e keqe, asaj ëndrre prej së cilës njeriu bie mizorisht nga qielli në tokë, duke u plandosur si viktimë e iluzionit. Këtë ide përcjellin dy siluetat e mjera e me një pajetësi të mynxyrshme, të cilat i përshkojnë ca shirita nga ato që tregojnë një kufi që nuk duhet ta kalosh. "Kam një cikël të gjatë ku fus elementin e kufirit, një lloj kufiri urban, rreth së cilit enden njerëz me ankthe psikofizike, siç është ai i të ikurit nga atdheu", shprehet Isufi gjatë shpjegimit të veprës. E kjo ndodhet në brendësi të ambasadës gjermane, aty ku dhe u ngjiz "odiseja" e ikjes me çdo çmim nga "Itaka", korrik 1990. Ndoshta ne nuk kemi ndryshuar. Vijojmë të jemi ikanakë emblematikë. Ndërsa stafi i ambasadës ka ndryshuar, jo thjesht fizikisht. Për herë të parë, një ambasadë krijon një korridor për hyrjen e lirë të njerëzve, por jo për ikanakë të ligjshëm apo të paligjshëm qofshin; hapet për dashamirësit e artit, e atij viziv kryesisht, duke u shndërruar në një qoshk për pelegrinazh kulturor në Tiranën e vakët kulturalisht. Kjo faqe e re në marrëdhëniet mes përfaqësive diplomatike e shqiptarëve, ku në mes gjithnjë ndodhet patjetër elementi "vizë", hapet pikërisht me ekspozitën e Ardian Isufit. Pjesëtarë të stafit të ambasadës gjermane thanë se falë faktit që ambasadori është dashamirës i artit e koleksionist afeksional gjithashtu ndaj autorëve shqiptarë e ndaj vetë stilit të Ardian Isufit, në të ardhme, në këtë ambasadë do hapen rregullisht ekspozita pikture, duke përfituar dhe nga fakti i ekzistencës së një salle të madhe brenda godinës, e cila shfrytëzohet edhe për evenimente të tjera artistike e kulturore. Në këtë mënyrë do të plotësohet dhe kuadri i një institucioni atraktiv dhe kulturor i një ambasade, që jo vetëm për shkak të pedantizmit gjerman (buruar nga shpirti prusian) përçon ftohtësi dhe ankth, sidomos kur je në pritje të një vize. Por shpresohet që këta akuj të shkrihen që nga e hëna e 19 majit e deri më 12 qershor, kur çdo qytetar, pavarësisht moshës, profesionit e statusit shoqëror, është i lirë të hyjë në ambasadën gjermane për të shijuar nga afër veprat e përzgjedhura të Ardian Isufit në një ekspozitë të tij personale.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›