E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish-pronarët, kompensimi për truallin e zaptuar

Autori i Lajmit: Red.
Ish-pronarët, të cilëve iu është zaptuar trualli dhe mbi këtë të fundit është ndërtuar një objekt pa leje do të kompensohen. Ndarja e parave pritet të bëhet tre muaj pas shpalljës së listës së ish-pronarëve përfitues.
Zyrat rajonale të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave kompensojnë subjektet brenda 3 muajve, në përputhje me vendimin e Këshillit të Ministrave për shpërblimin e pronarëve. Për efekt të përllogaritjes së sipërfaqes së parcelës ndërtimore, të zënë nga ndërtimi informal që kompensohet, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në qark e trajton atë si truall, në përputhje me metodikën për vlerësimin e pronës së paluajtshme që kompensohet, pra sipas hartës së vlerës së tokës. Fondi fizik për kompensimin e ish-pronarëve do të përbëhet nga tokat e lira juridike, por pjesa që do të mbetet do të jetë kompensimi financiar që do të merret nga paratë e legalizimeve dhe buxheti i shtetit. Procesi i legalizimit do të mbledhë edhe një shumë të caktuara parash, që do të ndahet për ish-pronarët. ALUIZNI ka saktësuar vlerat që do të paguajnë pronarët e banesave informale në procesin e legalizimit.
Urbanizimi
Ligji parashikon se urbanizimi i zonave informate, por të legalizuara, do të kryhet në bazë të studimeve urbanistike, në përfundim të procesit të legalizimit. Hartimi i studimeve urbanistike realizohet ose porositet nga njësitë e qeverisjes vendore, në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi. Në çdo rast studimet urbanistike duhet të respektojnë planet e miratuara nga KRRT-ja e bashkisë ose komunës, të hapësirave dhe shesheve publike, për investime në rrugë, infrastrukturë dhe objekte social-kulturore. KRRT-ja e këshillit të qarkut miraton studimin urbanistik për bllok-banimet me ndërtime të legalizuara për qarkun respektiv. Bashkia ose komuna vepron për të gjitha territoret brenda vijave të verdha. Miratimi i studimeve urbanistike për zonat me ndërtime të legalizuara nga KRRTRSH-ja bëhet në mbledhjen e saj më të afërt, pas miratimit të tyre nga njësia e qeverisjes vendore përkatëse dhe pas dorëzimit në KRRTRSH.
Ligji i legalizimeve
Këshilli i Ministrave kaloi në Kuvend ndryshime të shumta në ligjin për legalizimin e ndërtimeve informale, i cili u miratuan me minimumin e votës parlamentare, vetëm 52 vota pro. Qeveria, me ndryshimet e bëra, ia ka rritur kompetencat Agjencisë së Legalizimeve për të përshpejtuar dhënien e legalizimeve si dhe kalimin sa më të shpejtë në zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme për t u hipotekuar përfundimisht. Kryeministri Sali Berisha është shprehur se këto ndryshime kanë si synim përshpejtimin e këtij procesi. Fillimisht në legalizimin e ndërtimeve informale, hipotekimin e tyre, urbanizimin si dhe kompensimin e çdo ish-pronari. Qeveria, me ndryshimet e djeshme ka rritur ndjeshëm kompetencat e ALUIZI-t, i cili do të zbatojë të gjithë procesin. Qytetarët duhet të ndjekin udhëzimet dhe çdo veprim do të bëhet me formular, pa u kontaktuar me zyrtarët. Mbas vetëdeklarimit të ndërtimit informal dokumentacioni do të verifikohet nga ALUIZNI dhe ekspertët e tij do të dalin në terren për evidentimin e ndërtimeve pa leje për të parë nëse ka përputhje me vetëdeklarimin dhe fotografimin ajror, sipas ndarjes kadastrale.
Ky lajm është publikuar: 17/05/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›