Arta: Ta duam Kosovën, e jo ta rrjepim

Në festivalin "Berlinale", këtë vit Kosova ka tërhequr vëmendjen shkaku i aktores Arta Dobroshi, e cila të hënën e 11 shkurtit u nderua me çmimin “Shooting Star 2013”.
“Kur kam qenë më e re, kam menduar sa mirë do të ishte po të jem "Shooting star". Tani që ndodhi jam gëzuar tepër, e aq më shumë që kam mundur të përfaqësojë vendin tim, që edhe bota të sheh se çfarë njerëz jemi dhe çfarë kulture kemi. Për vendin tim dhe të gjithë shqiptarët, më vjen mirë që po sjellë kënaqësi, në këto kohë të vështira”, ka thënë Arta Dobroshi, duke folur për televizionin publik të Kosovës.“Është ndjenjë e mirë që jemi të lirë, por nuk është gjendje e mirë në Kosovë, duhet ndryshuar shumë gjëra. Kur e mendoj papunësinë qe e kemi, më vjen për të qarë”, ka shtuar aktorja.
Duke folur tutje për pesëvjetorin e Pavarësisë së Kosovës, Arta ka thenë:“ Do të duhej të ishte një ditë e bukur por s’mund të jemi të gëzuar. S’mund të jesh i gëzuar kur sheh njerëz në rrugë, duke kërkuar lëmoshë. Jane dy emocione njëherësh.Duhet të pranojmë se duhet ndryshuar gjendja, duhet ndërtuar shtetin, e jo vjedhur atë. E kemi një detyrë si populli dhe qeveria, të jemi të sinqertë”.
E pyetur për qasjen e institucioneve shtetërore të Kosovës ndaj kinematografisë, Dobroshi është shprehur:
“Nëse flasim për artin, nuk përkrahet arti në përgjithësi.Nuk kemi kinematografi, jemi vetëm në start. Duhet pranuar realitetin, të dijmë ku jemi dhe të mundohemi për më mirë. Shumë njerëz duan të përfitojnë personalisht dhe jo për shtetin. Në Norvegji, kryeministri shkon në punë me biçikletë, ndërsa ketu marrin tre-katër automjete, nga paratë e taksave të qytetarëve.Nuk investohet në shëndetësi, ka shumë nevojë për barna, që të sëmuret nuk munden t’i sigurojnë. Pra, nuk është vetëm kultura, por ka shumë gjëra që duhet ndryshuar.”
Tutje, ajo ka kujtuar se janë shumë breza, prindërit, gjyshërit e stërgjyshërit tonë, që kanë sakrifikuar që të jemi të lirë:
"Ne e kemi obligim të jemi punëtorë, ta duam shtetin, ta pasurojmë, e jo ta rrjepim.Ne këtu ndoshta po festojmë, por pyetni ata në Mitrovicë si ndihen. Pastaj në qytete tjera, Pejë, Gjakovë… gjendja ekonomike është shumë e rëndë.
Ndoshta ne jemi lodhur, dhe nuk marrim guxim të flasim lirshëm. Nuk e kemi shprehinë e të folurit të lirë, nga koha e mëhershme, por tani s’duhet të frikësohemi, se jemi të lirë.”
Dobroshi ka falënderuar popullin për përkrahjen, duke i vlerësuar si shtytës kryesor në punën e saj dhe sukseset në kinematografi.
Aktorja nga Kosova, tashmë është një emër i njohur edhe përtej hapësirës shqiptare për bashkëpunimet e saj me disa regjisorë të rëndësishëm. /Indeksonline/