Shpallen në kërkim dy mashtrues, vodhën 35 mijë euro për një kredi banke
Dy persona dyshohen se kanë mashtruar një person për kredi bankare, duke i marrë 35 mijë euro. Ngjarja ka ndodhur në Tiranë tre vjet më parë, por vetëm para pak ditësh i dëmtuari ka shkuar në polici dhe ka denoncuar dy personat mashtrues. Martin M., 50 vjeç dhe Gjovalin T., 41 vjeç, përkatësisht banues në Tiranë dhe Shkodër, të cilët janë marrë nën hetim nga Antikrimi Ekonomik dhe po punohet për kapjen e tyre dhe identifikimin e plotë të kësaj ngjarjeje kriminale. Burimet policore të kryeqytetit bënë të ditur se nga seksioni kundër krimit ekonomik, të dy personat u dërguan për ndjekje penale dhe janë shpallur në kërkim. Sipas të dhënave hetimore, Bardhok P., 73 vjeç, ka denoncuar se dy personat e kanë mashtruar në vitin 2006 se do i nxirrnin një kredi në një bankë. Për këtë, ata kanë kërkuar 35 mijë euro. Ky u ka besuar dhe u ka dhënë paratë, por asnjëherë nuk ka mundur ta gëzojë kredinë, pasi nuk i është miratuar. Megjithatë, atij nuk i janë kthyer mbrapsht as paratë e dhëna. Sipas tij, ngjarja ka ndodhur që në vitin 2006, por dy personat janë zhdukur, duke ndërruar numrin e telefonit dhe nuk i janë përgjigjur. Njëri nga dy personat e shpallur në kërkim ka qenë i dënuar edhe më parë për mashtrim. Sipas policisë, Martin M. kishte mashtruar kohë më parë një person, duke i shitur një pronë të tjetërkujt. Bëhet fjalë për shitjen e një banese në pronësi të një gruaje, të cilës i kishte marrë letrat për t‘ia hipotekuar, por me to kishte shkuar te noteri dhe kishte shitur banesën. Në atë kohë, policia arriti ta identifikojë dhe arrestojë mashtruesin në një kohë shumë të shkurtër.
Ble. Gi.
Ble. Gi.