Në paraburgimin 313, atje ku Bare është "i rrethuar" nga librat
Për punonjësit e Burgut 313 në Tiranë, Aldo Barë është një nga 300 personat që ndodhen në paraburgim, me një sjellje shembullore brenda qelisë në dhomën e observimit. Sipas kontakteve me gardianët e burgut, gjatë gjithë kohës kreu i bandës së Lushnjës lexon libra. "Është shumë i urtë. Flet ngadalë dhe saktë. Ka një sjellje shembullore, ndryshe nga shumica e kontingjentit që kemi në këtë paraburgim", thotë një gardian, rreth 35 vjeç. Ai saktëson se drejtuesit e burgut e kanë vizituar shpesh herë Baren për nevojat që mund të ketë. "Ka kontaktuar shpesh herë me drejtuesit e burgut, të cilët i kanë siguruar 100 për qind siguri fizike. Familjarët e tij pretendonin se me ardhjen në Shqipëri atij i rrezikohej jeta, por ndryshe nga deklaratat emocionale, ai nuk ka shprehur asnjëherë frikë", shton më tej gardiani, duke plotësuar edhe se Bare ka kërkuar që në qeli t‘i shtohen librat nga biblioteka e burgut. Ndërkohë, të kontaktuar nga gazeta "Shqip", drejtuesit e burgut deklarojnë se kanë takuar familjen e personit që ndodhet në paraburgim, ndërsa në orarin e caktuar i kanë lejuar të "fortit" të Myzeqesë që të kontaktojë me familjarë që ndodhen në qytetin e Lushnjës për nevoja urgjente.
S.Çobo
S.Çobo