Xhevdet Feri: Kam nisur mandatin e dytë sipas ligjit
Ndërkohë që këto ditë flitet për kontestimin që katër shoqata të kineastëve shqiptarë i kanë bërë vazhdimit të mandatit të Xhevdet Ferit në krye të Qendrës Kombëtare Kinematografike, flitet dhe për emra të propozuar në tryezën e ministrit të Kulturës si kandidatura të mundshme, Feri u shpreh dje se ai ka filluar ta konsumojë mandatin e tij të dytë në bazë të të gjitha procedurave ligjore. "Pas një korrespondence zyrtare në respektim të të gjithë korpusit ligjor, unë kam marrë konfirmimin dhe jam në detyrë. Në bazë të ligjit "Për Kinematografinë", kryetari i Qendrës Kombëtare është emëruar që në vitin 2005 nga Kryeministri i vendit pa përcaktim mandatesh. Automatikisht unë kam bërë me dije ministrin e Kulturës për të marrë masa dhe për të përcaktuar përgjegjësinë e personit që do të ketë mandatin e kryetarit të Qendrës Kombëtare Kinematografike. Kam marrë një përgjigje zyrtare për të vazhduar punën. Dikujt nuk i pëlqen ky vendim, por kjo është çështje vullnetesh dhe opinionesh, ligjërisht shteti ka mbaruar punën e tij", shprehet Feri. Sipas tij, do të kishte një vendim të dytë për emërimin e kryetarit në rast se do të lirohej nga detyra kryetari aktual. Duke u shprehur shkurt, Feri lë të kuptojë se përpjekja që shoqata "Lumiere" me kryetar Kujtim Çashkun, Shoqata e Kineastëve e drejtuar nga Muharrem Fejzo, Shoqata e Filmit të Animuar dhe atij Dokumentar për të propozuar emra kryetarësh të mundshëm, është e kotë. "Shoqatat e kineastëve nuk kanë akses mbi kryetarin e Qendrës Kinematografike. Ai është në tagrin e ministrit të Kulturës dhe Kryeministrit. Shoqatat e kineastëve kanë një kapital të madh në Qendrën Kombëtare të Kinematografisë, të zgjedhin anëtarët e bordit të miratimit të projekteve artistike. Në këtë rast, QKK-ja bën vetëm rolin e koordinuesit", thekson në fund Feri.