E Diel, 1 Nëntor 2026

Avokati: E padrejtë që një gjyqtar vlerësoi Baren

Krahas kërkesës për shuarjen e masës së sigurisë, avokatët e kreut të bandës së Lushnjës kanë apeluar vendimin e gjyqtarit Klodian Kurushi, që Bare duhet të qëndrojë në burg. Sipas avokatit Vladimir Meçi, është në kundërshtim me ligjin që, megjithëse dosja është në gjyq, masa e sigurisë të vlerësohet nga një gjyqtar i vetëm. "Gjyqtari i vetëm, Klodian Kurushi, nuk ka qenë gjyqtari kompetent për realizuar verifikimin e kushteve të zbatimit të masës në kushtet kur çështja në ngarkim të Aldo Bares ishte në gjykim dhe faza e hetimeve paraprake ishte kapërcyer", thuhet në kërkesën e Bares drejtuar Gjykatës së Apelit. Në rastin objekt gjykimi, thotë avokati, gjyqtari Klodian Kurushi nuk mund të bënte asnjë veprim procedural, pasi ai nuk ishte kompetent për ta bërë një gjë të tillë dhe nuk mund të gjykohej nga gjyqtari i vetëm edhe për faktin se në fazën e gjykimit çështja gjykohet me trup gjykues dhe jo me gjyqtar të vetëm. "Në rrethanat e sipërme, kërkojmë nga Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda, që për arsyet e përmendura më lart të vendosë dhe urdhërojë lirimin e menjëhershëm të Aldo Bares", përfundon kërkesa.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›