E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arti brenda lëvozhgës

Gjatë viteve 90 arsyetoheshim se ishte establishmenti serb ai që s’na lejonte të shpreheshim, në asnjë lëmi shoqërore. Që prej vitit 1999 e këndej nuk e kemi më këtë problem. Por, as atë arsyetim. Nga Faton Raçi më 09 shkurt 2011 në ora 14:00

Ne, me sa duket, kemi ngelur në atë fazën e rritjes dhe të adoleshencës, që e njohim edhe si axhamillëk, kur njeriut ia merr mendja se mund të arrijë gjithçka që ëndërron dhe të bëjë gjithçka që i bie ndërmend, pa çarë fort kokën për pasojat e mëvonshme eventuale të atyre veprimeve. Me këtë lloj ndjenje hasesh në cilëndo sferë të jetës në Kosovë, si në politikë, biznes, sport, raporte ndërnjerëzore të çfarëdollojshme etj.

Megjithatë, përshkrimi i mësipërm më së miri i përshtatet artit dhe kulturës kosovare, përgjithësisht. Axhamillëku kulturor nëpër të cilin, gjatë ndonjë periudhe të caktuar, kaluan jo vetëm shumica e shteteve evropiane, por edhe e atyre rajonale, te ne vazhdon të mbetet sinonim për shumicën e aktiviteteve që jo rrallë quhen artistike, ose kulturore. Andaj edhe nuk çudit që autorët e këtyre “kryeveprave” mbesin të bindur në vlerën e asaj që prodhojnë.

As ndonjë kritikë e rrallë ndaj asaj që bëjnë nuk i bind se, me dashje apo pa të, po i bëjnë dëm artit dhe kulturës. Kjo, ngase shumica e mediave, sidomos e atyre vizive, këto të bëma i mbulon pa hezitim, duke i cilësuar shpesh si “spektakle”, apo edhe “ngjarje kulturore historike”. Po të shikojmë pak se çfarë filmash, çfarë muzike dhe çfarë emisionesh televizive i ofrohen auditoriumit të këtushëm, lehtë bindemi se media, në fakt, shpesh e promovon vetë këtë axhamillëk kulturor. Kujtojeni pak se sa spektakle muzikore, filmike, apo teatrore shfaqen tek ne brenda një viti. Ose, sa festivale, sa spektakle mode, sa konkurse misash ose misterësh, organizohen këndejpari. Pra, në një vend që sa i përket artit dhe kulturës – hiç ndoshta festivalet DokuFest dhe SkenaUp – mund të përshkruhet vetëm si një zorrë qorre e Ballkanit.

Ky mish-mash i ngjarjeve të shumta, të pakoordinuara, të palicencuara dhe shpeshherë totalisht të pavlera, në opinion ka krijuar një përshtypje – të rrejshme – se jeta kulturore te ne është shumë e gjallë. Madje edhe kualitative. E, ata që flasin ose shkruajnë kundër kësaj dukurie, nëse veç nuk kërcënohen nga autorët ose producentët, të paktën etiketohen si pro-serbë, ose si njerëz që nuk ia donë të mirën “artit” dhe “kulturës” shqiptare.
Dallimi është se këta të dytët, fatmirësisht, artin dhe kulturën ende e shohin si diçka që duhet të vlerësohet pak më larg dhe pak më gjatë, se mëhallët e autorëve të këtyre ‘margaritarëve’ dhe se koha e adoleshencës kulturore që po e vuajmë kolektivisht. Sigurisht se me përfshirjen e kamotshme të një pjese bukur të madhe të komunitetit artistik – pra të atyre do të duhej të ishin njëlloj pararoje e artit dhe kulturës në këtë vend – në shumë projekteve të dyshimta “artistike” dhe “kulturore” kjo gjë nuk arrihet. Sepse të tillët normalisht që s’kanë as çka flasin, e as çfarë të thonë. Por, me një përkrahje serioze të komunitetit të mbetur artistik, të opinionit artdashës, por edhe të vetë institucioneve që po e lejojnë konservimin e kësaj gjendjeje, Kosova ndoshta edhe do të arrinte të dilte nga lëvozhga kulturore brenda së cilës është mbyllur.

As arsyetimi kujdestar tash e 11 vjet, sipas të cilit lufta dhe vuajtjet e përjetuara duheshin shprehur disi nuk qëndron. Në fakt, edhe pse është deri diku normale që menjëherë pas luftërave artistët të frymëzohen nga ngjarjet dëshmitarë të të cilave ishin vetë, ose që i dëgjuan nga protagonistët e tyre, kjo s’do të thotë se çdokush duhet të thotë ose filmojë çfarëdo që i bie ndërmend. Madje, mendoj se, edhe kur këtë gjë e bën një regjisor ose aktor serioz, ai duhet pasur kujdes që të mos e kalojë atë vijën e hollë që e ndanë qasjen artistike ndaj ngjarjes së caktuar nga bastardimi dhe kiçi. Ndonëse një lëmi tjetër e artit, si shembull i tejkalimit të qartë të kësaj vije mund të merren përmendoret kushtuar heronjve dhe dëshmorëve të luftës së fundit. Ndonëse të ngritura me qëllime të mira, ato shumë më tepër të ngjallin dhembje me mënyrën si janë realizuar sesa që të ngjallë ndonjë emocion ndalimi para tyre. E, do të duhej të ishte e kundërta.

Njësoj mund të cilësohen edhe përpjekjet e pasuksesshme për bërjen e filmave për ngjarjet dhe personazhet historike – ato të krijojnë dhembje kur sheh mënyrën se si janë realizuar, e jo një emocion që do të mbajë edhe pasi ta kesh braktisur sallën e projeksionit.

Pavarësisht asaj që s’jam artist me vokacion, mendoj se – edhe si spektator - di të ndajë të mirën nga e keqja, dhe të vlefshmen nga e pavlefshmja në art. Ose, të paktën në një film apo dokumentar. Ajo që në këto dy zhanre po shohim në dy dekadat e fundit, vështirë se mund të radhitet në atë pjesën që mund të quhet si e mirë, e aq më pak e vlefshme. Kjo, ngase ne ose bëjmë filma dhe dokumentarë me një qasje metaforike dhe me mesazhe alegorike - që sot më s’i pëlqen, e as shikon askush – ose bëjmë filma dhe dokumentarë që synim kryesor kanë përfitimin financiar të autorit dhe producentit. Megjithëse nga filmbërësit kosovarë shpesh dëgjojmë se nuk ka mjete për realizimin e ndonjë filmi kualitativ, fondet e siguruara për realizimin e dy filmave të fundit, “Gomarët e Kufirit’ dhe ‘Azem Galica’, e vërtetojnë të kundërtën. Nga ana tjetër, nuk mund të quhen pak disa qindra-mijëra euro për një film.

Filmi boshnjak ‘Grbavica’ u realizua me përafërsisht aq para. Megjithatë, fitoi Ariun e Artë në Berlin, më 2006, dhe ishte nominuar për Çmimin Oscar për filmin më të mirë të huaj, në vitin 2007.

Rrjedhimisht, nëse komuniteti ynë filmbërës vërtet synon që, siç dëgjojmë shpesh nga pjesëtarët e tij, të avancojë kinematografinë kosovare, e jo vetëm xhepat personalë, atëherë duhet ndalur me nacisizmin ndaj asaj që prodhon aktualisht. Duhet stopuar linçimi (figurativ) i atyre që këto vepra i shohin me sy kritik - ashtu siç edhe e meritojnë. Dhe, sigurisht se filmbërësit duhet të jenë shumë më vetëkritikë. Gjegjësisht, të analizojnë seriozisht se cila është arsyeja që Kosova assesi s’po mund të prodhojë një film që do të shikohej me ëndje edhe jashtë ‘lëvozhgës’ së saj - a është problemi tek mungesa e një skenari të mirë, tek regjia, tek aktrimi, apo tek të gjitha bashkë.

Vetëm mbi këto baza pastaj do të mund të niste një fazë e re e prodhimit të filmave, nga të cilët nesër s’do të skuqeshim para askujt.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›