Arti i Metis
Sot (e martë), në Galerinë e Arteve në Ferizaj, me fillim nga ora 19, hapet ekspozita personale e artistit Muhamet Ahmeti-Metis.
Në ekspozitë do të prezantohen 32 vepra figurative nga fusha e ilustrimit tematik, pikturës dhe vizatimit. Këto vepra janë të realizuara gjatë periudhës së viteve 2007-2011. Disa nga këto vepra janë ekspozuar edhe në shtete të ndryshme, si në Itali, Iran, Portugali, Belgjikë etj.
Autori në disa veprat e ekspozuara shpalos dëshirën për rrugëtim me flamur të vendit prej nga vjen, po edhe me simbolet e lashta mitologjike dhe ato të kohës së re.
Krijimet pikturale zënë kujtesën e hershme fëmijërore, duke korresponduar me mite dhe fantazi të bujshme hapësinore dhe duke lëvizur me përsëri e pa pendesa të ndryshme gravituese. Figuracioni aty krijon një lëvizje, formë dhe kolorit të vëmendshëm.
Ekspozita, që do të qëndrojë e hapur deri më 1 qershor 2011, është përkrahur nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport e Komunës së Ferizajt.