E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arti i propagandës sovjetike

Një ushtar sovjetik valëvit me heroizëm flamurin e kuq me drapër e çekan mbi ndërtesën e Raishtagut. Ai imazh që u kthye në ikonë për pjesën më të madhe të shekullit XX u fotografua nga Jevgeni Kaldei. Ajo që mësohet sot është se fotoja u manipulua për të fshehur faktin që ushtarët gjendeshin mbi ndërtesë për të vjedhur. Gjatë javës që shkoi, në Berlin u hap një ekspozitë fotografike me punët e Khaldeit

Ishte ora 2 e mëngjesit më 2 maj të vitit 1945 dhe Jevgeni Khaldei gjendej në Raishtag, ndërtesa e Parlamentit gjerman në qendër të Berlinit. Tri orë më parë, komandanti i fundit gjerman qe larguar dhe kryeqyteti kishte kapitulluar, megjithëse tek-tuk dëgjoheshin luftime sporadike. Me vete Khaldei kishte aparatin fotografik të markës "Leica" dhe një flamur sovjetik.

Fotoreporteri 28-vjeçar, toger i forcave detare sovjetike, takoi një shok të tijin në ndërtesën e djegur dhe e bindi të pozonte me flamurin në dorë. Iu bashkuan edhe dy ushtarë të tjerë të Armatës së Kuqe.

Khaldei përdori gjithë rulin filmik, duke bërë 36 fotografi. Disa versione të njërës prej fotove u kthyen në një prej ikonave të shekullit XX. Bëhet fjalë për një imazh që simbolizon disfatën e Gjermanisë Naziste dhe triumfin e ushtrisë së kuqe për të dyja memoriet kolektive, si ruse ashtu edhe gjermane.

Pas luftës, Khaldei u bë viktimë e antisemitizmit të regjimit stalinian. Duhej të mbërrinte viti 1991 që artisti nga Berlini Erns Voland të shtinte rastësisht në dorë ato fotografi, duke vendosur që t‘i publikonte në një libër. Para pak ditësh, me rastin e përvjetorit të fundit të Luftës së Dytë Botërore, muzeu "Martin Gropius Bau" i Berlinit ka hapur një ekspozitë retrospektivë me punët e Khaldeit, duke nxjerrë kështu në pah veprën e fotoreporterit më të rëndësishëm të epokës sovjetike.

Në ekspozitë shfaqen fotografi të "Luftës së Madhe Patriotike" pushtimi nga ana e Ushtrisë së Kuqe të Sofjes, Budapestit, Bukureshtit dhe Vjenës, konferenca e Potsdamit dhe gjyqet e Nurembergut. Në të shfaqen edhe foto të jetës së përditshme në Bashkimin Sovjetik, përpara dhe pas luftës.

Khaldei nuk qe shumë i dhënë pas aspektit artistik të fotografisë. Por u kushtonte shumë vëmendje çasteve të rëndësishme. Përgjatë gjashtë dekadave realizoi shumë fotografi të shkëlqyera dhe mund të konsiderohet i pafat që i është dashur të manipulojë disa herë foton më të rëndësishme të karrierës së vet, diçka për të cilën edhe është kritikuar më pas. Historia e komplikuar e manipulimit të fotos mbi Tajshtag tani është rindërtuar e tëra nga Voland, kuratori i ekspozitës në fjalë dhe është rrëfyer në një libër të vogël.

Në të tregohet se si Khaldei fluturoi drejt Moskës natën, pasi bëri fotografitë. Kur imazhi u shfaq i stampuar në revistën "Ogonjok" më 13 maj të vitit 1945, një detaj i qe ndryshuar menjëherë. Në të vërtetë, ushtari që ndihmon shokun që ka në dorë flamurin ka nga një orë në secilin prej koceve të duarve. Ushtarët sovjetikë vidhnin ç‘mundin teksa bënin përpara nëpër lagjet e Berlinit. Më pas, Khaldei pranoi se e kishte fshirë me një gjilpërë nga negativi orën që gjendej në kyçin e majtë të ushtarit.

"I fal gjermanët, por nuk mund të harroj"

Në një version tjetër të po kësaj fotografie janë shtuar re të errëta tymi. Në versionin më të ri vërehej një flamur i ri teksa valëvitej me gjithë madhështinë e mundshme në erë.

Megjithëse edhe të paktën tre fotografë të tjerë fotografuan ushtarë sovjetikë mbi Raishtag më 1 dhe 2 maj të vitit 1945, do të qe fotoja e Khaldeit ajo që do bëhej pjesë e historisë. Më pas, i pyetur për manipulimet u përgjigj: "Është një foto e mirë dhe me domethënie të madhe historike. Pyetja tjetër, ju lutem".

Khaldei e shihte veten si protagonist të një kauze të drejtë, lufta kundër Hitlerit dhe kundër trupave naziste që kishin pushtuar atdheun e tij. Në vitet përpara vdekjes më tetor të 1997-ës citohet të ketë thënë: "I fal gjermanët, por nuk mund të harroj". I ati dhe tri nga motrat e tij qenë vrarë nga forcat naziste.

Khaldei kishte lindur në vitin 1917 në qytetin ukrainas Juzovka, sot Donetski. E ëma dhe i gjyshi kishin gjetur vdekjen të pushkatuar në një pogrom, gjë që i kishte lënë shumë mbresa. Më vonë tregoi se në atë kohë "nëpër pasaporta tregohej që ishe hebre".

Përpara se të pushohej nga puna në agjencinë e lajmeve sovjetike Tass, në vitin 1948, eprorët i kishin tërhequr shpesh vëmendjen për "nivelin e ulët të shkollimit" dhe mungesën e dukshme të "njohurive politike". Por për atë, vetë shpjegimi për pushimin nga puna qe shumë i thjeshtë: "Arsyeja e vërtetë është se jam hebre".

Ishte një karakteristikë që e ndante me thuajse gjysmën e shokëve të tjerë sovjetikë që punuan si fotografë gjatë Luftës së Dytë Botërore, ashtu si edhe me kolegët amerikanë, të cilët gjithashtu realizuan disa prej fotove më mbresëlënëse të luftës - siç qe, për shembull, hebreu me origjinë hungareze, Endre Fridman, i njohur si Robert Kapa, një prej themeluesve të agjencisë fotografike "Magnum". Që të dy kolegët shkonin shumë mirë bashkë dhe Kapa i dhuroi kolegut sovjetik një aparat fotografik të markës "Speed Graphic" në kohën kur që të dy mbulonin gjyqet e Nurembergut pas lufte.

Khaldei, i cili thoshte se kishte "domosdoshmërinë e brendshme" për të realizuar fotografi, e vazhdoi aktivitetin deri në moshë të thyer. "Kapa rus", siç quhet nga historianët e fotografisë, jetoi në një apartament me një dhomë të vetme në Moskë - e cila shërbente njëherësh edhe si dhomë e errët për zhvillimin e fotove. Kur u shpërblye me 10 mijë marka gjermane për një libër dhe një ekspozitë të hapur gjatë viteve nëntëdhjetë i shpenzoi të gjitha për të blerë një aparat "Rolleiflex". "Nuk kam pasur aparat të tillë kurrë në jetën time".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›