Cikloni në Birmani, 220 mijë të zhdukur
Janë rreth 220 mijë personat e zhdukur në Birmani pas kalimit të ciklonit Nargis. Lajmi është dhënë nga agjencia humanitare e Kombeve të Bashkuara, e cila lëshon edhe alarmin për dëmet ambientale, dhunën dhe emigrimin në masë. Vlerësimet e kryera në 55 qytete të zonës së deltës së Irravadit dhe në qendra të tjera të rrënuara, kanë zbuluar madje se deri në 102 mijë persona mund të kenë mbetur të vrarë nga cikloni që ka goditur banesat e dobëta me erë të fortë dhe reshje të fuqishme gjatë natës së 2 majit të shkuar. "Mbi bazën e këtyre vlerësimeve, shkruhet në raportin e zyrës së OKB-së për koordinimin e çështjeve humanitare, Kombet e Bashkuara përllogarisin që nga 1215885, deri në 1919485 persona janë goditur nga cikloni. Numri i të vdekurve mund të shkojë nga 63290, deri në 101682, ndërsa 220 mijë njerëz janë ende të zhdukur". Ndërkohë, shifra krejt të tjera paraqet televizioni shtetëror i Birmanisë. Sipas tij, bilanci i viktimave ka shkuar në 28458, ndërsa 33416 janë personat e zhdukur. Transmetuesi i kontrolluar nga junta ushtarake që qeveris Birmaninë ka saktësuar se 1403 persona kanë mbetur të plagosur. Ndërkohë, bilanci i mëparshëm zyrtar ishte prej rreth 23 mijë të vdekurish dhe 37 mijë të zhdukurish. E në këtë mënyrë, numri i të zhdukurve, sipas televizionit birmanez, vazhdon të reduktohet ndërsa rritet numri i viktimave, pavarësisht se në përmasa shumëfish më të vogla në krahasim me ato të paraqitura nga organizatat humanitare. Ndërkohë, organizata britanike "Oxfam", lëshon një tjetër alarm. Jeta e të paktën 1 milion e gjysmë njerëzish është në rrezik të madh për shkak të ndonjë shpërthimi të mundshëm epidemish, si pasojë e mungesës së ujit të pijshëm. Sipas zyrtarëve, ekziston rreziku i një katastrofe sanitare të përmasave të mëdha. "Druajmë se rreziku i një katastrofe humanitare është pas pragut. Është një tjetër ciklon ky, madje më shkatërrimtar", thotë Sara Ireland nga "Oxfam". Në anën tjetër, një anije që po dërgonte ndihmat e para të Kryqit të Kuq për viktimat e ciklonit Nargis, është mbytur dje, pasi kishte hasur në trungun e një peme që stuhia e kishte hedhur në deltën e Irravadit, në Birmaninë jugperëndimore. Lajmi u konfirmua nga vetë zyrtarë të organizatës humanitare, që folën për një humbje dramatike për Kryqin e Kuq, në përpjekjet e tij për shpërndarjen e ndihmave, përpjekje që pengohen jashtëzakonisht shumë nga kufizimet e paraqitura prej juntës ushtarake birmaneze. Anija, që kishte në bord ndihma të destinuara për më shumë se 1 mijë persona, oriz, ujë të pijshëm, veshje dhe materiale sanitare, ishte drejtuar për në ish-kryeqytetin Rangun dhe Bogalai, një prej zonave më të goditura nga cikloni e ku të paktën 10 mijë persona kanë humbur jetën ose janë shpallur të zhdukur. Anëtarët e ekuipazhit të anijes dhe personeli i Kryqit të Kuq që gjendej në bord është shpëtuar. Junta ushtarake ndërkohë vazhdon përpjekjet për të mbajtur nën kontroll situatën dhe mediat shtetërore deri më tani flasin vetëm për referendumin kushtetues, të cilin, ushtarakët këmbëngulën ta zhvillonin pavarësisht shkatërrimit të vendit. Kështu, sipas mediave zyrtare birmaneze, popullata ka marrë pjesë masivisht në referendumin që po përshkruhet prej zyrtarëve si një sukses i vërtetë. Sipas tyre, qytetarët kanë dalë në masë në votime, pavarësisht vështirësive të shkaktuara nga cikloni që ka mbjellë vdekje dhe shkatërrim në tërë vendin. Votimet nuk janë zhvilluar vetëm në 47 komunat në të cilat ishte vendosur që procesi të shtyhej për më 24 maj. "Në votimin e së shtunës, një numër shumë i madh qytetarësh ka ushtruar të drejtën e votës", shkruante e përditshmja "Drita e re e Mianmarit", e kontrolluar nga junta, pa dhënë gjithsesi asnjë shifër.