E Shtunë, 31 Tetor 2026

Baronesha guximtare

Kanë kaluar 50 vjet qëkur gratë u lejuan në Dhomën e Lordëve, në Britaninë e Madhe. Lola Young, anëtare e saj, rrëfen fillimet e vështira dhe rrugëtimin e grave në një ambient tipik mashkullor
"Kur unë hyra për herë të parë në Dhomën e Lordëve në vitin 2004, nuk e dija fort mirë se gratë u lejuan të bëheshin pjesë e saj vetëm në vitin 1958 kur unë ende luaja me kukulla. Ajo ishte një periudhë ndryshimesh shoqërore të jashtëzakonshme: të ardhurit nga vende të ndryshme të Afrikës, Azisë e Karaibeve po sistemoheshin në qytete të ndryshme të Britanisë së Madhe, sapo ishte krijuar koncepti i adoleshentit, apo homoseksualiteti kishte nisur të mos konsiderohej më si një krim. Rendi i vjetër po hiqej mënjanë për t‘i lënë vend një rendi të ri edhe pse kjo ishte shumë e vështirë që të shquhej që në fillim. Ankthi dhe frika e meshkujve ndaj femrave që kishin filluar të merrnin pushtet politik ishte i jashtëzakonshëm dhe ndonjëherë edhe komik. Pikërisht në këtë periudhë, një lord i Dhomës u shpreh se "femrat në politikë janë të papranueshme". Sipas tij, lejimi i futjes së femrave në politikë po i inkurajonte ato që të krijonin një klimë që sa do të vinte e do të bëhej më e padurueshme dhe se pjesa më e madhe e pjesëtarëve të Dhomës së Lordëve nuk e dëshironte praninë e femrave në Dhomë, madje as atë në ambientet e tjera të Parlamentit, pasi ai ishte vend për burra dhe që u takonte vetëm burrave dhe detyra e grave ishte të merreshin me familjen, ose shumë shumë të diskutonin për librat a të dashurit e tyre. Megjithatë, pas gjithë debateve, diskutimeve dhe tensionit "Akti i Barazisë" që u aprovua atë vit i dha mundësi femrës që të ishte e barabartë me mashkullin në Dhomën e Lordëve dhe madje të kishte edhe të drejtën e trashëgimisë së vendit. Futja e femrës solli një periudhë trazirash jo të vogla dhe incidentesh shpesh të pakëndshme që nisnin me diskutimet për veshjet e femrave, kapelat e tyre e deri tek emërtimet apo nofkat që disa lordë u vunë kolegeve të tyre. Gratë e para u përballën me sfida të jashtëzakonshme, me një presion që sot do të dukej shumë i vështirë, por edhe qesharak nga disa këndvështrime, por me praninë e tyre ato ndryshuan gjithë ambientin e me kalimin kohës edhe mentalitetin dhe mënyrën e funksionimit të Dhomës. Dikush i cilësoi ndryshimet si shkatërrime dhe risitë si akte dhune, madje edhe vetë anëtaret e dhomës si agjente të lëvizjeve feministe që po shkatërronin gjithë ndërtesën e vjetër e patriarkale të institucionit. Sot, gjërat kanë ndryshuar, megjithatë jo edhe aq për sa i përket numrit të femrave. Nga 700 anëtarë të Dhomës së Lordëve vetëm 147 janë femra. Pra gratë vazhdojnë të mbeten një pakicë. Megjithatë, një pjesë e madhe e tyre kanë pozicione të rëndësishme dhe me përgjegjësi dhe thuajse të gjitha ato nuk mungojnë thuajse kurrë në seancat e Dhomës, ndryshe nga kolegët meshkuj. Për këtë arsye ka nga ata që e konsiderojnë Dhomën e Lordëve një institucion matriarkal, ku meshkujt nuk ngrenë shumë peshë. Disa nga lordët kanë ushqyer dhe vazhdojnë të ushqejnë frikën se gratë do të grupohen, do të organizohen dhe do të ndjekin një politikë të tyren që do të influencojë edhe në ligjet që do të aprovohen. Por faktet kanë treguar se përkatësia partiake është shumë më e rëndësishme për femrat se përkatësia gjinore. Vetëm se kur bëhet fjalë për çështje të ndjeshme si ato të kujdesit shëndetësor për fëmijët e çështje të tjera të kësaj natyre, gratë vërtet që bëhen bashkë. Por kjo do të ndryshojë kur edhe meshkujt të tregojnë të njëjtën ndjeshmëri për këto çështje. Qëkur jam bërë anëtare e Dhomës pyetja me të cilën më takon të përballem më shpesh është: "Si ia dola mbanë që u bëra anëtare e Dhomës"? Sipas meje mungon informacioni i plotë dhe i duhur për anëtarësimin në këtë Dhomë. Sipas ligjeve të fundit, çdo njeri ka të drejtën që të aplikojë për anëtarësi, çka është edhe ajo që bëra unë. Unë personalisht nuk i përkas ndonjë partie, por grupit të anëtarëve të pavarur. Sigurisht që të jesh i pavarur në një vend ku e bën ligjin forca e partive politike është e vështirë dhe mund të them se unë e kam ndier peshën e kësaj vështirësie. Politikën e kam ëndërruar gjithmonë, pasi e kam parë si një mundësi për të bërë për të tjerët dhe për të vënë në jetë idetë e tua. Fillimisht rrugën për t‘u bërë politikane e kam parë me realizimin e caktimit si parlamentare, por së pari ishte problemi i zgjedhjes së partisë politike dhe së dyti, dëshira që unë të kisha edhe një jetë timen personale. Mendoj se gratë e kanë të vështirë që të përzgjidhen. Procesi është shumë i vështirë dhe më pas vijnë orët e stërzgjatura të punës në Parlament dhe sigurisht përballja me kulturën maço të të gjitha ambienteve. Një pjesë e madhe e grave që kanë dashur të kandidojnë janë tërhequr sapo kanë hasur pengesat dhe vështirësitë e para mashkullore. Për momentin ka debate e diskutime të mëdha në Dhomën e Lordëve në lidhje me një reformim të saj, por ekziston frika se nëse i gjithë procesi do të shndërrohet në një proces zgjedhor në të do të ketë shumë më pak gra, pikërisht për shkak të vështirësive të procesit të të zgjedhurit. Për shkak të deklaratave të dikurshme të disa prej anëtarëve të Dhomës së Lordëve shumëkush mund të mendojë se ai është një ambient tërësisht seksit. Sigurisht që ka pasur dhe ka raste kur shndërrohet vërtet në një vend të tillë, por jo gjithmonë. Situatat kanë ndryshuar dhe të paktën në aparencë femrat pranohen e bashkë me pranimin e tyre janë ndryshuar edhe shumë mënyra sjelljeje që më parë ishin tipike maskiliste. Situata është miqësore e ndoshta ndonjëherë edhe atërore, duke qenë se shumë nga lordët marrin pozicione protektive ndaj femrave. Lordi që përmenda në fillim, ai që u shpreh i tmerruar për futjen e femrave në institucionin tradicionalisht shekullor mashkullor tha edhe diçka tjetër: "Gratë nuk janë të prera për të bërë politikë dhe kjo për arsyen e mëposhtme: shpesh nuk veprojnë nisur nga arsyeja, por nga ndjenjat". Tani që politika britanike ka gra ministre dhe zëvendësministre, që ka gra në poste të tjera shumë të rëndësishme qeverisëse do të thosha se faktet kanë treguar se zotëria e kishte gabim. Ne kemi futur vërtet një lloj të ri gjykimi, në të cilin ndjenjat bashkëpunojnë me arsyen dhe japin optimalen për zgjidhje të çështjeve njerëzore".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›