E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grupet, PS hakmerret ndaj Cekës

Partitë e vogla vihen në krizë për formimin e grupeve parlamentare. Mbledhja e Konferencës së Kryetarëve e zhvilluar dje në drekë ka diskutuar në lidhje me përbërjen e grupeve parlamentare.

BLEDAR HOTI

Kryeparlamentarja Topalli, sipas burimeve, i ka kërkuar krerëve të grupeve parlamentare që të paraqesin listat me emrat e deputetëve që i kanë në përbërje të grupit të tyre. Një kërkesë e tillë mësohet se ka vënë në lëvizje të gjithë krerët e grupeve parlamentare të partive të vogla, për të mbledhur firmat e rikonfirmuara. Sipas burimeve mësohet se grupi parlamentar Qendra Liberal Demokrate të pushojë së ekzistuari. Ky grup që drejtohet nga kreu i PAD-së, Neritan Ceka, nuk e ka numrin e nevojshëm të deputetëve. Kjo për shkak se socialistët tashmë nuk do ta mbështesin më Cekën për të formuar një grup parlamentar. Asnjë nga deputetët e PS-së nuk do të pranojnë që të firmosin për mbajtjen e grupit parlamentar Qendra Liberal Demokrate. Ky grup deri më tani ka pasur vetëm pesë deputetë në radhët e saj, Neritan Ceka, Pirro Lutaj të PAD, si dhe socialistët Qemal Minxhozi, Fatmir Xhindi dhe Bukurosh Stafa. Për formimin e këtij grupi nevojiten shtatë deputetë. Nisur nga kjo situatë, PAD-ja si parti opozitare pritet të mos ketë më grup parlamentar, pasi asnjë socialist nuk do të pranojë të firmosë për funksionimin e Qendrës Liberal Demokrate. Socialistët do të “hakmerren” ndaj Cekës, duke mos e mbështetur në formimin e grupit parlamentar. Ndër grupet e tjera që kanë probleme mësohet se është edhe Partia Agrare. Partia e Xhuvelit nuk i ka siguruar ende firmat e duhura. Sipas burimeve mësohet se deri më tani deputeti PD-së, Ramiz Çobaj, nuk pranon të firmosë më për këtë grup parlamentar. Deputeti demokrat Çobaj është ndër të vetmit që nuk ka firmosur ende për këtë grup parlamentar. Ndërsa mësohet se PSD-ja ka siguruar grupin e vet parlamentar, për shkak se Pilo Kerri, pavarësisht se ka kaluar me grupin më të madh opozitar, do të firmosë për Gjinushin. Ndërkohë që PBDNJ-ja e Dules pritet të kërkojë ndihmën e deputetëve të maxhorancës për të rikonfirmuar grupin e tyre parlamentar. Aktualisht ky grup që mban emrin Qendra Demokrate, nuk ka arritur ende të plotësojë numrin e saj prej 7 deputetësh. Ai figuron me gjashtë deputetët Vangjel Dule, Leonard Solis, Spiro Peçi i PBDNJ-së, si dhe Mehmet Hoxha, Aurel Bylykbashi dhe Mehmet Xheka të PD-së. Kryetarja e Kuvendit ka kërkuar që procedura e deklarimit të grupeve parlamentare të përfundojë brenda javës. Gjithsej në Kuvend janë 10 grupe parlamentare, ku pjesa më e madhe e tyre është krijuar me ndihmën e dy partive të mëdha, PS dhe PD.

Lammert flet shqip në Kuvend

I ka habitur të gjithë kreu i Bundestagut gjerman, Lammert, kur fjalën përshëndetëse para deputetëve e ka nisur në gjuhën shqipe. Norbert Lammert ka folur në gjuhën shqipe në mënyrë të pabesueshme për deputetët e Kuvendit, madje ka kërkuar mirëkuptimin para atyre se duhet të fliste më pas në gjuhën amtare, gjermane. Kjo bëri që një drejtues i një shteti të huaj të pritej më ndryshe nga deputetët e pranishëm. Ai vlerësoi reformat e ndërmarra nga Shqipëria, por theksoi gjithashtu se ato duhet të vazhdojnë akoma më tej. Lammert e mbylli fjalën e tij po në shqip, duke deklaruar se “ju uroj suksese dhe bashkëpunimi mes Gjermanisë dhe Shqipërisë, në një të ardhme të përbashkët të lirë nën Evropën e bashkuar”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›