Arti në pallatet e Tiranës
Edicioni i katërt i Bienales së Tiranës. Drejt përfundimit projektet e fazës së parë që çelet më 18 tetor. Bashkëpunimi i Bashkisë së Tiranës me artistë, ndryshon fasadat e disa pallateve
Edhe tri ditë duhen deri në çeljen e edicionit të katërt të Bienales Ndërkombëtare të Artit Bashkëkohor të Tiranës (Tirana International Contemporary Art Biennial). Në hotel "Dajti", vendi kryesor i ekspozimit, punët ecin mirë. Një pjesë e artistëve, ata që do të krijojnë në ambientet e hotelit, kanë ardhur e kanë nisur punën.
Pjesa tjetër ka dërguar krijimet, të cilat kanë filluar të vendosen nëpër vende. Në katin e parë të "Dajtit" janë rregulluar ekranet e videoprojektorët. Madje disa kanë filluar shfaqjen. Në një ekran projektohet videoja "Per Speculum" e artistit Ardian Paci.
Por nuk është projeksioni final.
Diku në këtë kat dëgjohen edhe zërat e artistëve, pjesëmarrës në seminaret e arkitekturës, tema rreth së cilës pritet të jetë më interesantja. Arkitektura urbane është episodi i tretë i bienales ku do të shpalosin idetë e tyre arkitektët.
Në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës, artistët e Bienales kanë kontribuar në dekorimin e një pjesë të kryeqytetit. Bëhet fjalë për fasadat e pallateve që gjenden në segmentin midis nyjave ku rruga "Bardhyl" pritet me atë të "Dibrës" dhe "Qemal Stafën".
Pjesa ma e madhe është ende me ngjyrë të bardhë, por në përfundim të projektit kjo rrugë do të ketë një tjetër pamje, madje edhe një emër tjetër ndonëse jo zyrtar, "lagjja e artistëve".
Janë shtatë artistë, projektet e të cilëve së bashku me ato të bashkisë do të ndryshojnë pamjen e kësaj pjesëze të metropolit. Idetë i kanë paraqitur në letër dhe më 2 tetor, kur të bëhet prezantimi, artistët do të jenë në Tiranë për të parë se si punëtorët e bashkisë i kanë konkretizuar idetë e tyre. Kanë përfunduar tashmë 4 fasadat e para, një është në punë e sipër dhe mbi të tjerat do të fillojë zbatimi i projekteve së shpejti.
Çfarë kanë propozuar artistët për këtë pjesë të Tiranës, që është një nga rrugët më me lëvizje në kryeqytet? (Aty duhet të kalosh për të shkuar në spitalin "Nënë Tereza", për tek Tregu Industrial, për në malin e "Dajtit" etj).
Mes tendave të ballkoneve dhe rrobave që shtëpiaket kanë nderur, lexohet "Nature is alive". Kjo frazë e shkruar me ngjyrë gri të errët mbi një bazë po gri, duket se nuk shfaq shumë entuziazëm. Të njëjtën fasadë e përshkojnë disa vija të zeza, që duket sikur janë rrëke të vogla që derdhen nga një kuti e zezë.
Dy pallate më tej situata është kryekëput ndryshe. Ngjyra të forta, e kuqe dhe jeshile dhe disa simbole të komunikimit virtual. Është ideja e artistit shqiptar Helidon Gjergji, të cilin me sa duket e ka ngacmuar komunikimi on-line.
Në një fasadë jeshile është shkruar me të kuqe një @ gjigante, ndërsa në fasadën tjetër është bërë e kundërta. Në fushën e kuqe është vizatuar një @ jeshile. Përgjatë një pjesë vertikale të pallatit, Gjergji ka luajtur dhe me mbaresat e faqeve elektronike, duke shkruar në çdo kat com apo edhe org.
Artisti suedez, Per Enokson ka luajtur me lajmërimin "Be aëare of the dog" (ki kujdes nga qeni) dhe ka shndërruar atë në "Be aëare of the smog" (ki kujdes nga smogu). Kjo është një thirrje që Enokson bën për t'u kujdesur për shëndetin dhe mjedisin.
Janë edhe dy artistë të tjerë, Ardian Paci dhe Franz Ackermann, idetë e të cilëve ende nuk kanë marrë formë në sipërfaqet e publike të pallateve. Por deri më dy tetor pritet të kenë mbaruar edhe këto dy projekte.
Edicioni i katërt i Bienales Ndërkombëtare të Artit Bashkëkohor të Tiranës zhvillohet nga 18 shtatori deri më 2 tetor. Është konceptuar në tre episode, të cilat prezantohen më 18, 25 shtator e 2 tetor.
Përkujtohet kompozitori polak Karloëicz
Mieczyslaë Karloëicz është një nga kompozitorët dhe dirigjentët më të njohur polakë dhe, 100-vjetorin e vdekjes së tij, Ambasada Polake nuk mund ta kalonte në heshtje. Më 18 shtator, në Teatrin e Operës dhe të Baletit, Orkestra Simfonike e RTSH-së luan pjesë nga repertori i tij nën drejtimin e dirigjentit polak Miroslav Jacek Blazczyk. Po nga Polonia, për këtë koncert vjen edhe violinistja Anna Maria Staskieëicz.
Në historinë e muzikës polake studiuesit e vendosin Karloëicz-n mes kompozitorëve Frederic Chopin dhe Karol Szymanoëski. Disa nga krijimet më të njohura të tij janë "The sorroëful tale (1908)", "Lithuanian raphsody (1906)", "Eternal songs (1906)", "The returning ëaves" (1904) etj.
Solistët e TOB, drejt Italisë
Drejtori i Operës së Romës, Nicola Colabianchi, ka vizituar këto ditë Teatrin e Operës dhe të Baletit. Ai ndodhet në Tiranë për të zgjedhur artistët që do të interpretojnë në operën "Salome", që TOB-i po përgatitet ta japë premierë në muajin nëntor.
Veç provave për këngëtarët pjesëmarrës në "Salome", ai ka dëgjuar dhe solistët lirikë Etleva Golemi dhe Armaldo Kllogjeri, me ariet e "Toskës" dhe "Rigoleto"-s. Colabianchi nuk ka dhënë një vendim pas provës së solistëve, gjë që i lë të hapura mundësitë për praninë e këngëtarëve shqiptarë në skenën e Romës. Por për solistin Kllogjeri, ftesat nuk mungojnë. Më 28 tetor ai do të interpretojë në teatrin e Gjenovës në Itali, në operën "Rigoleto".