KQZ rriti transparencën, por s'ndërhyri në çdo problem
TIRANË - Raporti i OSBE-ODIHR-it vëren se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përgatitur dhe administruar zgjedhjet në mënyrë profesionale, si dhe ndërmori disa hapa për të rritur transparencën në proces. Por, përpos kësaj, raporti evidenton edhe një sërë vërejtjesh substanciale.
Kështu, sipas raportit, KQZ-ja ishte e ndarë shpesh në linjën politike mazhorancë-minorancë, veçanërisht në çështjet më të diskutueshme. Raporti evidenton një debat të madh të lindur mes KQZ-së dhe PS-së pikërisht për përcaktimin e qendrave të votimit në ambiente private.
Raporti përmend pretendimin e opozitës se disa qendra votimi nuk mund të caktoheshin në ambiente private, pasi pronarët e këtyre objekteve të përcaktuara si qendra votimi u përkisnin pikërisht mbështetësve të Partisë Demokratike.
Raporti evidenton gjithashtu se autoriteti i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve mbi komisionet zgjedhore ishte i limituar. Sipas raportit, KQZ-ja nuk përmbushi autoritetin e saj të plotë në adresë të problemeve, të cilat u nxitën gjatë numërimit të votave.
Raporti evidenton faktin se shpesh, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ndërhyri vendosmërisht kur u vunë re probleme. Ai citon gjithashtu se Kolegji Zgjedhor veproi në mënyrë profesionale, por në të njëjtën kohë, evidentin defektin e madh të këtij kolegji për të mos transkriptuar të plotë vendimin që kishte marrë brenda tri ditëve nga koha e marrjes së vendimit.