Sot "Lista e Karlës", një film për Del Ponten
"Mohim total" bashkëpunimi bullgaro-italian do të hapë ditën e tretë të Festivalit Ndërkombëtar të të Drejtave të Njeriut, që po mbahet në shkollën e filmit "Marubi". Tetë prodhime kinematografike do të ngjiten sot në skenën e festivalit, mes të cilave dhe "Lista e Karlës", një film i inspiruar nga kryeprokurorja në Gjykatën e Hagës, Karla Del Ponte. Marcel Schüpbach e ka bërë këtë film, duke u fokusuar në punën e Del Pontes. Filma të tjerë që do të shfaqen sot janë "Dhimbje shpresë", një prodhim shqiptar, "Shtrëngim duarsh me Djallin-Udhëtim i Romeo Dallaire" (Kanada), "Një e njëqinda e sekondës", "Kavja". Dje, në ekranin e festivalit u ngjit prodhimi francez "Një e diel në Pripyat". Njëzet vjet pas katastrofës së centralit nuklear të Çernobilit, Pripyati, qytet model i viteve ‘70, vendosur në zemër të "zonës së ndaluar", dikur banuar nga 50000 njerëz, shumica punëtorë, është shndërruar tashmë në një qytet fantazmë.
Mbi gjurmët e dukshme të pushtuesve të dikurshëm është rishfaqur gjelbërimi i tokës dhe ndihen tingujt e mëparshëm të një restoranti, kinemaje, pishine apo infermierie….
Po dje u shfaq dokumentari "Sundimi i ligjit". Regjisorja Susanne Brandstätter shoqëron Claudia Fenz, gjykatëse ndërkombëtare gjatë rrugëtimit të saj në Kosovë, përmes një rasti brutal të vrasjes së një serbi dhe mamasë së tij nga gjashtë kosovarë. Kamera e saj ndjek rrjedhën e procesit gjyqësor dhe përpjekjet e Claudia Fenz me përkthyesin e saj, Osman, për një gjyq të drejtë, duke evidentuar paralelizmin e drejtësisë dhe ligjeve kanunore të familjeve patriarkale në Kosovë.
Po dje është shfaqur "Las to know". Dokumentari rrëfente të kaluarën e Gjermanisë Lindore. Është vlerësuar se regjimi i Gjermanisë Lindore ka pasur 250000 të burgosur politikë, njerëz të zakonshëm, të ndrydhur nga familja dhe shoqëria dhe të ndaluar të flisnin ose të silleshin në mënyra jo të këndshme për autoritetet shtetërore. Dokumentari i ndjerë i Marc Bauder dhe Dörte Franke trajton jetën e tre familjeve gjermane pas regjimit të Gjermanisë Lindore, të cilat kishin një ose disa prej anëtarëve të tyre të burgosur dhe trajton pasojat e shkaktuara nga burgimi, të cilat janë ende të pranishme. Bauder dhe Franke i sjellin këto familje së bashku dhe, në mënyrë të kujdesshme, por insistuese, ata marrin informacion për të zbuluar eksperiencat dhe dëgjuar sesi këto familje kanë përjetuar burgosjen e viktimave.
Prodhimi shqiptar "Mjekër e thinjur" ka rrëfyer historitë e ish të dënuarve politikë, të cilët vazhdojnë të jenë të harruar nga shteti, ndërsa ende jetojnë në ish-kampet diktatoriale. Tre histori rrëqethëse, që përbëjnë një të vërtetë të hidhur. Kush janë këta njerëz dhe pse janë braktisur? Kush janë këta njerëz, që ne kaq lehtë ua nëpërkëmbim të drejtat e tyre?
Skenaristë të filmit janë Pluton Vasi e Fatos Baxhaku dhe regjisor Pluton Vasi. Dokumentari "Një leksion nga Bjellorusia" tregon Bjellorusinë pas rënies së Bashkimit Sovjetik, e cila fitoi pavarësinë dhe jetoi kohën e një demokracie të shkurtër, deri në vitin 1995 me ardhjen në fuqi të Presidentit Alexandër Lukashenko. Franek Viacorka studion në Minsk, në një lice elitar, i cili është krijuar nga babai i tij, për të promovuar gjuhën bjelloruse. Edhe pse liceu është shpallur i paligjshëm nga ana e qeverisë dhe babai i Franekut është burgosur, ai së bashku me studentët e tjerë vazhdojnë aktivitetin e tyre antiqeveritar që prej vitit 2003. Pavarësisht kërcënimeve dhe urdhër-arresteve të vazhdueshme, ata botojnë gazeta të mbushura me mendime kritike dhe regjistrojnë këngë e japin koncerte kundër regjimit.
"Macet e Mirikitanit" treguan historinë e një 80-vjeçari që i mbijetoi traumës së Luftës së Dytë Botërore me kampe internimi, Hiroshimës dhe faktit të të qenit i pastrehë, nëpërmjet artit që ai krijonte. Kur ngjarjet e 11 Shtatorit 2001 kërcënuan jetën e tij në rrugët e Nju-Jorkut, ai njihet me një regjisore njujorkeze, e cila e merr atë në shtëpinë e tij dhe të dy së bashku ndërmarrin një udhëtim ballafaques me të kaluarën e Mirikitanit.