E Shtunë, 31 Tetor 2026

Artistë dhe emocione në “Chic+”



Në studion modeste të piktorit Agim Faja koha ka ndaluar dhe gjurmët e saj ndihen në çdo cep të saj. Piktura, grafika, vizatime, akuarele, libra, fotografi shënime, mbi 50 vjet krijimtari janë përmbledhur me shumë kujdes nga piktori i njohur, Artist i merituar, pa lënë pas dore asnjë detaj që ka shoqëruar çdo vepër të tijën. Është një nga ata piktorë të traditës që pavarësisht moshës së thyer vazhdon të mbetet aktiv në punën e tij. Pikturon herë pas here, edhe pse më rrallë dhe i mungon shumë natyra ku ai ishte mësuar të ndërtonte pjesën më të madhe të krijimeve të tij artistike. Por tani, meqë kohën më të gjatë e kalon brenda mureve të studios, përveç pikturës, ka vendosur të realizojë një ëndërr të hershme, botimin e një vëllimi historik për qytetin e tij të lindjes. Por, në studion e tij pret gjithmonë miq dhe dashamirës të artit që ai bën. Në prag të 70-vjetorit të lindjes ai ka vendosur të japë një intervistë për emisionin “Chic+”, e të ndajë disa nga pasionet e jetës së tij me teleshikuesit e Vizion Plusit. Por mbrëmja në “Chic+” këtë të diel sjell për shikuesit dhe dy instrumentistë të jashtëzakonshëm, Suela Mullaj dhe Klajdi Sahatçi. Me një iniciativë të drejtorit të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit Zhani Ciko, u bë i mundur realizimi i një koncerti vërtet të mrekullueshëm, i cili mblodhi pas shumë vitesh nga anembanë botës një grup instrumentistësh të shquar, anëtarët e dikurshëm të orkestrës “Virtuozët e Tiranës”. Artistë që sot janë yje në skenat operistike dhe koncertore botërore, si Suela Mullaj, e cila është presidente e një prej orkestrave më të shquara në Milano, apo Klajdi Sahatçi, koncertmaestër i parë në “La Scala” të Milanos, sjellin eksperiencat e tyre në këto vende për shikuesit e Vizion Plusit. Mbrëmja në Chic+ vijon me Altin Gocin dhe kuriozitetet për këngën e tij më të fundit, e cila është prezantuar nga artisti si një formë urimi për Krishtlindjet, duke sjellë kështu një risi të re në tregun muzikor shqiptar. Një këngë e krijuar me pasion dhe realizuar tërësisht nga vetë nga artisti, i cili thotë se për realizimin e saj ka mbledhur në video të gjithë fëmijët e miqve të tij më të mirë, për tju bërë kështu një dhuratë që do të mbahet mend gjatë. Emisioni kulturor “Chic+” do të mbyllet me një intervistë të “Miss Shqipëria 2007”, Irsa Demneri, e cila shumë shpejt do të niset drejt Italisë dhe Anglisë, ku shpreson të nisë një karrierë si modele. Angazhimet e saj më të fundit, realizimi i një roli të vogël në filmin më të ri të regjisorit Gjergj Xhuvani, studimet për financë e mjaft të tjera, do të keni mundësinë t’i ndiqni në mbrëmjen e sotme, ora 18:40, në “Chic+”.

26 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›