E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Bypass”, sot takimi i radhës në Vizion Plus



Nëse e diela ju gjen pa një plan dhe vërtet nuk e dini çfarë të bëni, na lejoni t’ju këshillojmë diçka. Uluni përpara televizorit, merrni telekomandën, kërkoni Vizion Plusin dhe prisni deri sa të dëgjoni siglën e emisionit të përjavshëm satiriko-informativ, më tepër satirik se informativ, “Bypass”.
Kësaj jave redaksia e këtij emisioni ka përgatitur për të gjithë ju shumë surpriza. “Bypass”-i i kësaj jave është zhytur në merkaton e janarit dhe ka nxjerrë prej andej ofertat më të bujshme. Pa dyshim që në këtë merkato vendin kryesor e zënë minatorët. Duke shfrytëzuar afrimin e zgjedhjeve ata kanë nxjerrë në shitje gjënë më të shenjtë të tyre, votën. “Bypass”-i ka zbuluar edhe cilët janë kandidatët kryesorë për të marrë votat e minatorëve, ata që kanë bërë edhe ofertat më të larta. Na vjen keq, por nëse doni emrat duhet të ndiqni “Bypass”-in…
Markatoja e janarit është tronditur edhe nga një blerje e orëve të fundit, e bërë nga një biznesmen shqiptar, emri i të cilit nuk bëhet publik… Në vorbullën e markatos së janarit është përfshirë edhe qeveria shqiptare…
Përveç pronave shtetërore, qeveria ka marrë një ofertë edhe për njërin nga ministrat. Për detajet e kontratës dhe emrin “Bypass”-i ka intervistuar kreun e qeverisë. Redaksia e “Bypass”-it ju sjell për këtë javë jo vetëm ofertat më të fundit nga merkatoja, por edhe shumë lajme të tjera. Bypass-i ju sjell një intervistë me kryetarin e partisë më të re shqiptare, zërin e kryetarit të një partie të vjetër, si dhe me vizitën e papritur të një ish-kryetari partie. Se cili është ai mësojeni duke ndjekur “Bypass”-in e radhës.
Në emisionin e kësaj jave vend të rëndësishëm zënë edhe kartat e identitetit dhe debati midis Ministrisë së Brendshme dhe Komunitetit Mysliman… Redaksia e “Bypass”-it u ka propozuar të dyja palëve disa variante kompromisi dhe është siguruar nga krerët e dy institucioneve që ato do të merren parasysh… Për të gjithë të pasionuarit pas kuiceve “Bypass”-i ka përgatitur dy të tillë dhe ju fton që të përgjigjeni:
Cili është qyteti i lindjes së Janullatosit?
a) Korça
b) Tirana
c) Mirdita
d) Apo Kavaja

Çfarë ndodhi më 20 janar të 1920-s në Lushnjë?
a) U mbajt një kongres
b) U zhvillua një koncert
c) Kombëtarja shqiptare luajti ndeshjen e parë
d) Apo u martua djali i beut…

Përgjigjen e saktë do ta mësoni vetëm në “Bypass”. Për pak desh harruam ceremoninë e betimit të presidentit Obama. Kryetarja e Kuvendit mori pjesë në këtë ceremoni dhe ajo ka pranuar t’i tregojë emocionet e përjetuara në një intervistë për “Bypass”-in…
Mos e humbisni pra, takimin e radhës me emisionin keqinformativ “Bypass”.

26 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›