Artistët: Estradat e rretheve, jetesë vetëm nën varësi të Ministrisë së Kulturës
Vendimi për ngritjen e Teatrit Kombëtar të Humorit, ka ngjallur reagime tek artistë të ndryshëm të humorit, të cilët megjithëse e kanë përshëndetur këtë vendim, një pjesë prej tyre pohon se nuk duhen harruar dhe grupet me artistët e humorit në rrethe.
Për regjisorin e njohur të teatrit të Durrësit Haxhi Rama, ky është një vendim shumë i mirë, por nuk duhen harruar dhe ata që janë në rrethe. Vendimi për ngritjen e Teatrit Kombëtar të Humorit është një gjë shumë e mirë. Probleme shumë ka dhe tek ne që jemi në rrethe, pasi shumë drejtorë janë militantë partie dhe kjo sjell dhe shumë probleme në organizimin e punës me aktorët. Ne jemi në varësi të Bashkisë dhe do të ishte shumë mirë që të kalonim në varësi të ministrisë, pasi do të kishim dhe më shumë mundësi për financime. Fondet për të bërë teatër humori në Durrës janë shumë të pakta gjë, e cila ndikon dhe në punën tonë si artistë, tregon regjisori Haxhi Rama. Aktori i njohur i humorit shkodran Besnik Çinari tregon se tashmë grupet me artistë humori në rrethe janë mes shumë problemeve. Ky është një vendim shumë i drejtë, por në Shkodër nuk është bërë gjë për humorin, por jo vetëm në Shkodër por unë mendoj se dhe në qytete të tjera ka shuam probleme. Sa kohë ne do të jemi në varësi të Bashkisë do të kemi probleme sidomos me financimin, thekson ndër të tjera aktori shkodran. Ndërkaq që aktori i humori durrsak Muharrem Hoxha tregon se vendimi është më se i drejtë. Një vendim i cili duhet të ishte marrë që më parë dhe më vjen keq që ka dhe njerëz që nuk janë me këtë vendim, por për mua kjo gjë duhet të konkretizohet sa më parë. Mendoj se edhe estradat e rretheve duhet të kalojnë në varësi të MTKRS, pasi kjo është dhe zgjidhja më e mirë për to, cilëson aktori i Hoxha. Për publikun në rrethe, por dhe në kryeqytet tashmë pothuajse janë harruar ato vite kur këta emra të Estradës së Tiranës apo dhe të humorit në rrethe i mbushnin ambientet me të qeshura, duke prezantuar përpara spektatorit nunra të tyre të humorit, që fatkeqësisht sot nuk janë më. Ideja për ngritjen e Teatrit Kombëtar të Humorit dhe Satirës për artistin e njohur dhe një nga ish drejtuesit e Varietesë së Tiranës, Sulejman Dibra, ngritja e këtij institucioni pa dyshim që i shërben artit, pasi sipas tij publiku e do komedinë dhe humorin. Për ish drejtorin e Varietesë së Tiranës, ky teatër komedie më mirë se kushdo mund ta trajtojë me anë të kritikës problemet e kohës në shoqërinë shqiptare. Varieteja e Tiranës, ky institucion profesionist u themelua më 1952, duke grumbulluar artistët më të mirë të grupeve amatore. Në përbërjen e tij ka sektorin e muzikës dhe atë të humorit. Teatri Varietesë ka dhënë çdo vit mbi 250 shfaqje në mbarë Shqipërinë. Në trupën artistike të këtij institucioni kanë punuar artistë të shquar të humorit e të satirës, të muzikës e të këngës si Mihal Popi, Melpomeni Çobani, Skënder Sallaku, Enver Dauti, Vasillaq Vangjeli, Xhemal Myftiu, Agim Bajko, Marjana Kondi, Koço Devole, Mexhie Pici Vegim Xhani, Veli Rada, Xhevahir Zeneli, Pranvera Veizi, Shpresa Përdëllima, etj, këngëtarët: Luan Zhegu, Ema Qazimi, Kozma Dushi, Irma Libohova, Liljana Kondakçi. Muzikantë si Alqi Kareco, Aleksandër Lalo, Demokrat Çahini etj. Bashkëpunëtorë të këtij institucioni janë artistë e shkrimtarë të shquar shqiptar, si Spiro Çomora, Dritëro Agolli, Shefqet Musaraj, dhe regjisorët: Pirro Mani, Mihal Luarasi, Kosta Kamberi, Sulejman Dibra, Kiço Londo, Mehmet Xhelili etj. Këta artistë kanë realizuar në skenë rreth 600 premiera, të ndjekura nga më shumë se 3 milion spektatorë. Ndërkaq që grupi i punës, i cili në bashkëpunim me ministrinë do të punojë për mënyrën e funksionimit të këtij institucioni si dhe përcaktimin e vendndodhjes së strukturës së tij, në përbërje të tij janë: Teodor Laço, Bashkim Hoxha, Mihallaq Luharasi, Bujar Kapexhiu, dramaturgu Ruzhdi Pulaha. Nuk do të mbetet jashtë këtij procesi edhe kontributi i ish-aktorëve të estradës, si Rita Lati, Behar Merja, etj. Sa i përket vendit ku do të ngrihet ky teatër shkrimtari Teodor Laço, propozoi që salla për aktivitetet e këtij institucioni të jetë salla e vogël e Teatrit Kombëtar.
Last Updated on E Merkure, 28 Prill 2010 21:04