Artistët e cirkut, qeverisë: Shpronësoni pronarin e truallit
Artistët e cirkut të Tiranës i janë rikthyer sërish protestës si forma e vetme për të gjetur një zgjidhje që do të pengojë shkatërrimin e institucionit të tyre. Ata kanë kërkuar nga qeveria që të shpronësojë pronarin e truallit ku ngrihet çadra e cirkut të Tiranës që prej të paktën 50 viteve.
Në protestën e paradites së djeshme, artistët e këtij cirku dhe të gjithë punonjësit e tjerë të tij kërkuan që qeveria të ndërhyjë për të mos lejuar mbylljen e të vetmit cirk në vend.
Drejtues dhe artistë të cirkut të Tiranës, i kanë bërë apel, të gjithë përfaqësuesve të shtetit shqiptar që të shpronësojë pronarët e truallit dhe të ruajnë arenën e vetme të cirkut kombëtar në Tiranë.
Një pjesë e truallit ku ngrihet arena e cirkut i është kthyer pronarit të ligjshëm. Kjo e ka shtyrë pronarin e saj të ngrejë një padi kundër bashkisë së kryeqytetit dhe shoqatës kulturore “Tirana” për t’ia liruar dhe kthyer këtë territor.
Në një takim që një grup artistësh zhvilluan pak ditë më parë me ministrin e Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve, Ferdinand Xhaferri, morën vetëm premtimin për përshpejtimin e diskutimit të statusit të arstistit, si dhe një cirk kombëtar. Por ende nuk ka një afat konkret për këtë. Ndërkohë që artistët e cirkut të vetëm në vend presin një zgjidhje përpara skadimit të afatit që do t’u mbyllë çadrën e tyre në qendër të kryeqytetit.
#