Ministri inspekton rrugën e Butrintit
Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ferdinand Xhaferaj, ka inspektuar dje rrugën pranë Parkut Kombëtar të Butrintit. Fokusi i inspektimit të rrugës ishte mbrojtja e trashëgimisë arkeologjike dhe zhvillimi i turizmit të qëndrueshëm. Të gjitha agjencitë shtetërore në varësi të MTKRS dhe firmat zbatuese të projektit të rrugës janë duke bashkëpunuar në zbatim të rekomandimeve të Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë. “Kjo është një rrugë e cila nuk trajtohet si një rrugë e zakonshme, por si një rrugë e përshtatshme për një park arkeologjik të vlerave botërore. Ajo do të trajtohet me të gjithë ndërhyrjet estetike duke plotësuar të gjitha kriteret si një rrugë në funksion të turizmit dhe trashëgimisë kulturore”, u shpreh ministri Xhaferaj, sipas të cilit, objektivi në ndërtimin e saj është zhvillimi i turizmit dhe trashëgimisë kulturore. Bashkë me të, morën pjesë në këtë inspektim edhe përfaqësues nga UNESCO, nga Fondacioni Butrinti, Instituti i Monumenteve të Kulturës, Agjencia e Shërbimit Arkeologjik dhe Parku Kombëtar i Butrintit etj.
#