E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama, letër komisionerit për zgjerimin: PD mban peng krizën

Kryetari i opozitës informon ndërkombëtarët për seancën e 18 marsit

Partia Socialiste kërkon zyrtarisht një ndërmjetësim ndërkombëtar për zgjidhjen e krizës politike në vend. Kryetari i saj, Edi Rama, ka bërë dje një hap të parë, që synon përfshirjen aktive të bashkësisë europiane, duke parashtruar ndërkohë shqetësimin e opozitës rreth ngrirjes së situatës në një pikë pa rrugëdalje. Përmes një letre të dërguar komisionerit për Zgjerim në Bashkimin Europian, Stefan Fule, kreu socialist ka prezantuar vështrimin opozitar rreth problematikës politike në Shqipëri, për të konfirmuar në finale një kërkesë për asistencë dhe ndërhyrje. “Ne e konsiderojmë jetike për demokracinë në Shqipëri, realizimin e transparencës së procesit zgjedhor dhe më lejoni t’i mbyll këto rreshta duke shpresuar se Ju do të gjeni vendin e kohën për ta riadresuar këtë problem, që ka të bëjë me interesin e shqiptarëve si popull për të bërë zgjedhje me standardet e çdo populli europian”, thuhet ndër të tjera në letrën e kreut të Partisë Socialiste. Përveç ritheksimit të pozicionit opozitar, letra si mjet i komunikimit të drejtpërdrejtë publik i adreson Parlamentit Europian edhe një herë ekzistencën e krizës politike në Shqipëri. Megjithatë ajo del mbi kontekstin propagandistik, pse jo vetëm nënshkrues i saj është drejtuesi i partisë më të madhe opozitare në vend, por sepse kërkesa e parashtruar në të e skualifikon përfundimisht në pikëpamje politike integritetin e vendimeve të fundit të Parlamentit shqiptar. Ngritja e Komisionit Hetimor në mënyrë të njëanshme, por edhe pamundësia e vënies në punë e tij, e kanë reduktuar Kuvendin e Shqipërisë në një vëzhgues të krizës politike, në vend të rolit të tij si administrues dhe zgjidhës të saj. Argumentimi i PS për këtë çështje është renditur edhe një herë nga Rama në letrën e tij për Fule, duke nënvizuar ndër të tjera se aktet e shumicës së djathtë kanë neglizhuar ndër të tjera edhe këshillat e komisionerit për Zgjerim të hedhura në tryezë gjatë vizitës së fundit në Shqipëri. “Nuk do ta shkruaja këtë letër nëse pikërisht gjatë rrugës Suaj të kthimit...shumica parlamentare nuk do të kishte adoptuar në sallën e Kuvendit, duke pretenduar se po zbaton porosinë e mesazhit Tuaj, një zgjidhje tërësisht të njëanshme, të pambështetur as mbi Kushtetutën as mbi transparencën...”, vijon letra e kryesocialistit. Ai ka ofruar kështu një interpretim edhe politik të situatës dhe vendimeve të marra nën forcën e kartonëve, pa harruar se në fund të fundit seanca e 18 marsit ka injoruar edhe këshillat e faktorit ndërkombëtar. Përmbajtja e letrës, parë edhe si nisma më e re e selisë rozë për përfshirjen e kërkesave të saj, ofron gjithashtu një mundësi për të kuptuar se pozicioni i opozitës mbetet konstant. Hapja e kutive dhe transparenca mbeten refreni i pretendimeve të saj, që si pararojë e thirrjes për protesta i vendosen edhe një herë në tavolinë faktorit europian, nga i cili pritet tanimë një përgjigje. Në këtë kuadër, vetëm dy ditë më parë, kreu i PS ka zhvilluar një takim me ambasadorin e Komisionit Europian në Tiranë, Helmut Lohan, prej nga ku me sa shihet kreu socialist është shtyrë në ndërmarrjen e një hapi të ri.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›