Artistët e rinj me ekspozitën “Maket” në FAP
“Maket”mund të jetë modeli i një vepre arti, i një ndërtese a grupi ndërtesash, i një makine, i një vegle, i zvogëluar ose në madhësi natyrore i cili vjen nga punimet e artistëve të rinj. “Maket” titullohet ekspozita e parë që është hapur dje në galerinë FAP, në mjedise të Akademisë së Arteve. Veçantia e saj qëndron në faktin se kësaj here artistët e rinj vijnë me një titull e me një koncept krejtësisht interesant. Koncepti kuratorial i këtij edicioni është ideuar nga bashkëkuratorët Najada Hamza dhe Ardian Isufi; njëkohësisht i koordinuar nga Genc Përmeti, (profesorë dhe pedagogë në Akademinë e Arteve). Kjo është eksperienca e dytë e këtij ekipi organizativ, ku vlen për tu përmendur ekspozitën “Trego një Ngjarje” e realizuar një vit më parë me sukses të jashtëzakonshëm për atmosferën artistike të krijuar dhe për impaktin e drejtpërdrejtë që pati ky event për publikun artdashës dhe më gjerë. “Maket” ka si target studentët e Akademisë së Arteve-Atelie Grafika/ Mode e Tekstil/ Multimedia / Pikturë, që njëkohësisht janë dhe artistë të rinj për ti krijuar shanset e përpunimit artistik mbi një temë urbane dhe arkitektonike për një realitet të caktuar dhe të përcaktuar prej tyre. E gjitha kjo vjen si një dëshmi artistike, gjithashtu është një eksperiencë e re dhe e vyer për studentët, të cilët përballen dhe ballafaqohen me ide të ndryshme nëpërmjet procesit të konkurrimit. “Maket” do të përqendrohet në realizimin e objekteve tre dimensionale të inspiruara nga projekte arkitektonike dhe struktura urbane, ku do të shtrihen ndërhyrjet artistike për të stacionuar konstatime të një shoqërie tranzitore me kontraste dhe diferenca të jashtëzakonshme. Ky diskutim do të ketë jo vetëm karakter pamor, por edhe të debatit në formën e tryezës së rrumbullakët me individë apo grupe të interesuara për të mësuar më shumë rreth kësaj infrastrukture të rrëmujshme, ku individi e sheh veten si në një teatër të mbyllur, të cilin e kufizon një bulevard periferik “Baudrillard”, por edhe si arsyetim mobil se qenia humane është një objekt-subjekt i lëvizshëm si fizik po ashtu dhe i qëndrueshëm. Ekspozita do të zhvillohet në galeria FAP në Akademinë e Arteve deri më 20 shkurt.
“Valentine’s day” premierë botërore në Millennium
Ndërsa atmosfera e ditës së të dashuruarve afron, kinema Millenium përgatit surprizën e radhës për të gjithë fansat e ekranit të madh. Pikërisht nga Hollivudi vjen premierë botërore “Valentine”s Day”, një romancë e bukur me nuanca komike, një histori e ngritur mbi dhjetë histori dashurie, në prag të festës së Shën Valentinit. Premiera botërore do të vijë në Tiranë më 13 shkurt dhe më këtë rast, Millennium ka menduar një premierë të posacme me te ftuar për projeksionin e ditës së shtunë, në orën 20.00. “Valentine’s Day” është duke u pritur me padurim në të gjithë botën dhe arsyet nuk sillen vetëm temës mjaft të prekshme për të gjithë siç është dashuria dhe jo vetëm për faktin që ka për titull festën e të dashuruarve. Për 90 minuta film të bukur garanton regjia dhe aktoret. Filmi është drejtuar nga Garry Marshall, regjisori i romancës më popullore që Hollivudi ka realizuar në historinë e tij, “Pretty Ëoman”. Ndërsa protagonistët e filmit janë mishëruar nga një brezi aktorësh mjaft të lakmuar në Hollivud: Julia Roberts, Topher Grace, Anne Hathaëay, Bradley Cooper , Ashton Kutcher, Jessica Alba, Jessica Biel, Jennifer Garner , Queen Latifah, Shirley MacLaine, Patrick Dempsey, Eric Dane, Jamie Foxx, Taylor Lautner apo Emma Roberts. Kjo është premiera e parë botërore për vitin 2010, që kinema Milllennium sjell për publikun shqiptar, ndërkohë që një premierë e dytë është fiksuar në kalendarin e filmave. Më 26 mars në Millenium shfaqet premierë botërore “Clash of the Titans”, një tjetër prodhim i shumëpritur hollivudian.
10 Shkurt 2010