“Nata me hënë”, pranga tre personave, bllokohen 5 mina me telekomandë
Lezhë – Një arsenal armësh është bllokuar ditën e djeshme nga ana e Policisë së Lezhës dhe janë vënë në pranga tre persona, të cilët ishin poseduesit e tyre. Polica e Lezhës bën të ditur se të arrestuarit janë Monel Lamaj, Leandro Lamaj dhe Sokol Buseta. Plot 5 mina me telekomandë, një automatik, një armë gjahu, një detonator elektrik me përcjellës, si dhe 600 fishekë luftarakë të llojeve të ndryshme janë sekuestruar ditën e djeshme nga ana e policisë në sajë të operacionit policor “Nata me hënë”.
Aksioni
Mëngjesin e djeshëm, në aksin rrugor Laç-Mamurras, forca të shumta policie, pasi kishin marrë informata lidhur me aktivitetin e tre personave të arrestuar, ndaluan një automjet fuoristradë me targa laçi. Gjatë kontrollit të ushtruar nga forcat e policisë në automjetin me targa laçi, me të cilin po udhëtonin Monel Lamaj dhe Sokol Buseta, u gjetën dhe sekuestruan me cilësinë e provës materiale 4 mina me telekomandë (lëndë plasëse C4), si dhe 15 detonatorë elektrikë me përcjellës.
Më pas operacioni ka vazhduar me kontrollin e banesës së vëllezërve Monel dhe Leandro Lamaj në qytetin e Laçit. Gjatë këtij kontrolli u gjetën: një minë me telekomandë, një armë zjarri automatik me 30 fishekë, një armë gjahu me 15 fishekë, një detonator elektrik me përcjellës, si dhe rreth 600 fishekë luftarakë të llojeve të ndryshme.
Ndër të tjera, gjatë kontrollit në banesë u gjet dhe një sasi e madhe bizhuterish, të cilat dyshohet se janë të vjedhura, si dhe një shumë e madhe lekësh.
Hetimet
Menjëherë pas arrestimit të tre personave mbi të cilët rëndojnë akuzat e “trafikimit të lëndëve plasëse, armëve dhe municioneve luftarake”, “vjedhjes” dhe “armëmbajtjes pa leje”, është ngritur një grup hetimor për të verifikuar destinacionin përfundimtar të 4 minave me telekomandë. Gjithashtu ky grup hetimor është duke hetuar dhe lidhur me rastet e vjedhjeve të bizhuterive. Policia është duke dokumentuar të gjitha kallëzimet e bëra për grabitjet e bizhuterive dhe më pas pritet të dalë me një version zyrtar në lidhje me numrin e rasteve të vjedhjeve të kryera nga ky grup.
Të arrestuarit
1. Monel Simon Lamaj, 35 vjeç, lindur dhe banues në Laç të rrethit Kurbin.
2. Leandro Simon Lamaj, 20 vjeç, lindur dhe banues në Laç të rrethit Kurbin, i dënuar më parë për veprën penale të “armëmbajtjes pa leje”.
3. Sokol Pjetër Buseta, 40 vjeç, banues në Shkodër.
Sendet e sekuestruara
-5 mina me telekomandë (lëndë plasëse C4)
-16 detonatorë elektrik me përcjellës
-1 armë zjarri automatik, me 30 fishekë
-1 armë gjahu me 15 fishekë
-600 fishekë luftarakë të llojeve të ndryshme
-71 unaza
-29 byzylykë
-24 varëse e medaljon
-96 vathë
-54 orë dore të markave të ndryshme
-11 telefona celularë të markave të ndryshme
-3800 euro
-600 000 lekë
10 Shkurt 2010