E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrest shtëpie infermierit që merrte ryshfet

ELBASAN - Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan ka vendosur dje masën e sigurisë "arrest shtëpie" për Kujtim Qamilin, me detyrë infermier në Poliklinikën e Specialiteteve në qytetin e Elbasanit. Ai u arrestua dy ditë më parë me akuzën e korrupsionit pasiv.
Gjykatësi Ramazan Avdia, drejtues i seancës, ka vendosur në bazë të provave të grumbulluara nga policia masën e sigurisë arrest shtëpie ndaj 39-vjeçarit. Qamili u arrestua në bazë të një operacioni të mirorganizuar nga Seksioni Kundër Korrupsionit, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan, si dhe me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, pasi akuzohet se u merrte para personave, të cilët aplikonin për t’u pajisur me raport mjekësor në Poliklinikën e Specialiteteve Elbasan.

E rrahin dhe i djegin makinën, në kërkim autorët

DURRËS – E rrahin dhe më pas i djegin makinën me të cilën po udhëtonte. Kjo i ka ndodhur një 38-vjeçari nga qyteti i Durrësit. Policia sqaron se ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së hënës në fshatin Arapaj të qytetit bregdetar. Personi me inicialet A. P. ka qenë në automjetin e tij tip “Benz 200” kur i kanë dalë para tre persona ende të paidentifikuar. Sipas policisë, pas debatit që kanë pasur me drejtuesin e mjetit, tre personat ende të paidentifikuar e kanë goditur drejtuesin e makinës me sende të forta në trup dhe më pas i kanë shkatërruar duke i vënë zjarrin automjetit të tij. Policia sqaron se pas denoncimit menjëherë kanë shkuar shërbime policore dhe grupi hetimor ka kryer veprimet procedurale. Lidhur me ngjarjen, Policia e Durrësit thotë se po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes. Ndërsa i dëmtuari pas mjekimit të marrë në spital është larguar për në banesën e tij.

Dhunohet nga burri, kërkon mbrojtje nga policia

DURRËS - Një 23-vjeçare nga qyteti i Durrësit ka kërkuar ndërhyrjen e Policisë për shmangur dhunën që i shkaktonte bashkëshorti i saj. Policia e qarkut Durrës sqaron se shtetasja me inicialet N. K. ka bërë kallëzim penal pranë forcave të rendit kundër bashkëshortit të saj. Arsyeja, sipas Policisë së Durrësit, ka qenë keqtrajtimi që bashkëshorti i saj 26-vjeçar me inicialet T. K. ushtronte mbi viktimën. Policia, gjithashtu njoftoi se pas marrjes së kallëzimit janë marrë masat për mbrojtjen e 23-vjeçares. Masat procedurale kanë të bëjnë me plotësimin e një kërkesë-padie nga ku Gjykata e Durrësit do të japë dhe vendimin për marrjen në mbrojtje të gruas. Në denoncimin e saj në polici, 23-vjeçarja nga Durrësi pretendon se është dhunuar në mënyrë sistematike fizikisht e psikologjikisht nga bashkëshorti i saj.

Aksidentohet me traktor, plagoset shoferi

ELBASAN - Humbja e kontrollit gjatë drejtimit të traktorit gati sa nuk i ka marrë jetën shoferit të tij. Bëhet fjalë për personin me inicialet Xh. T., 32 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Griqan të Elbasanit, i cili, duke drejtuar automjetin e tij “Traktor rrugor”, tip “640 DT” pa targa, ka dalë nga rruga duke i shkaktuar plagosjen. Menjëherë ai është dërguar në Spitalin kirurgjik të Elbasanit, ku aktualisht paraqitet në gjendje të rëndë shëndetësore. Nga ana e policisë në vendngjarje u dërgua grupi hetimor, i cili kreu veprimet e para procedurale, nga ku rezulton se shkak për aksidentin ishte humbja e kontrollit gjatë drejtimit nga shoferi i tij. Materialet i kaluan Prokurorisë së Elbasanit për veprime të mëtejshme mbi veprën penale “shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor”.

10 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›