Emigrantët, parlamenti grek kthehet në arenë përplasjesh
Papandreu: “Me integrimin e plotë të emigrantëve i jepet fund një politike shqetësuese 28-vjeçare”
Blerina Olldashi
Si të mos mjaftonte gjendja e rëndë ekonomike, për politikën greke lind një tjetër shqetësim. Pas dërgimit në Parlament të projektligjit për dhënien e nënshtetësisë për emigranëtët kanë reaguar ashpër udhëheqësit e partive parlamentare. Për më tepër se katër orë e gjysmë institucioni ligjvënës është shndërruar në një arenë debatesh të ashpra. Kryeministri Jorgos Papandreu shprehu pakënaqësinë rreth situatës së krijuar, duke u shprehur se të gjithë emigrantëve duket t’u jepet e drejta të bëhen shtetas me të drejta të plota, pasi nëse nuk lind grek, mund të bëhesh. “Për ne përgjigjja është e qartë: Grek edhe lindesh edhe bëhesh, ashtu siç ka ndodhur vazhdimisht në historinë e helenizmit. Edhe unë kam qenë emigrant, megjithëse nuk përjetova këto gjendje turpi dhe trafikimi të njerëzve, ashtu siç ndodh në kufijtë tanë”, u shpreh kryeministri Papandreu. Më tej ai theksoi se me projektligjin e propozuar i jepet fund një problemi që ekziston në shoqërinë greke prej 28 vjetësh. “Përfundojmë një problem që shfaqet për më se 28 vjet dhe që ka shqetësuar shoqërinë tonë, integrojmë në këtë shoqëri ata që duan të hyjnë në të, duke shmangur izolimin e tyre, ksenofobinë, idetë se po rrëzohet kombi” ka theksuar Papandreu. Mendim krejt të kundërt kanë shprehur sërish ultranacionalistët grekë, të cilët kanë kërkuar shpalljen e një referendumi popullor për aprovimin e këtij projektligji, ndërsa udhëheqësi i tyre Jorgos Karatzaferis është shprehur përsëri hapur kundër dhënies së nënshtetësisë së emigrantëve shqiptarë. “Po thoni pra që t’i bëjmë shtetas grekë. Jo z.Kryeminister! Dhe gjithsesi, jepuni nënshtetësinë pakistanezëve dhe afganëve që doni. Shqiptarëve dhe ballkanasve të tjerë përse doni t’ua jepni? Për 4-5 vjet ata do të jenë në Europë, do të kenë pasaportë europiane, pse duhet t’i bëjmë grekë?”, thotë Karatzaferis. Edhe udhëheqësi i Demokracisë se Re është shprehur se dhënia e nështetësisë greke rreth 500.000 emigrantëve të huaj do të krijojë kushte të një revolte shoqërore dhe një ksenofobie të paparë, ndërsa ka premtuar se kur të vijë në pushtet partia e tij do ta anulojë ligjin. “Dhënia e nënshtetësisë automatikisht shndërrohet në një magnet të vërtetë për një valë masive legalizimi prej mijëra emigrantësh të rinj ilegalë. Dhe këtë temë ne nuk e duam”, thotë Andonis Samaras kryetar i Demokracia e Re. Përplasjet e udhëheqësve grekë në parlament janë pasqyruar edhe në faqet e para të gazetave të djeshme. Me gjithë përpjekjen pozitive të socialistëve, opinioni publik është i ndarë përsa i përket këtij projektligji, ashtu siç përshkruajnë edhe sondazhet e shumta, ku mbizotëron një pasiguri për humbjen në të ardhmen e identitetit etnik, një tezë që e theksojnë çdo ditë e më shumë ultranacionalistët dhe jo vetëm.
10 Shkurt 2010