Ukraikë, Timoshenko nuk pranon rezultatin e zgjedhjeve
Mbështetësit e kryeministres së Ukrainës, Julia Timoshenko thanë se do ta kontestojnë rezultatin e zgjedhjeve presidenciale, pasi ajo duket se humbi në raundin e dytë. Pas numërimit pothuaj se të gjitha votave, rivali i saj, Viktor Janukoviç, duket se ka fituar zgjedhjet me tre për qind më shumë të votave. Zëvendësja e partisë së Timoshenkos, Olena Shustik, tha se do të kërkojnë rinumërimin e votave në disa zona dhe do ta çojë çështjen në gjykatë. Në Moskë, Kremlini njoftoi se presidenti Dimitri Medvedev ka uruar Janukoviçin për “përmbylljen me sukses të fushatës zgjedhore, që u vlerësua lartë nga vëzhguesit ndërkombëtarë dhe suksesin e arritur në zgjedhjet presidenciale”. Por ç’do të thotë fitorja e Janukoviçit në zgjedhjet presidenciale në Ukrainë për marrëdhëniet mes perëndimit dhe Rusisë? Rezultati i zgjedhjeve nuk do të thotë patjetër edhe përcaktimin e një kursi “pro Moskës”, mendojnë ekspertët. Po ashtu me presidentin Janukoviç do të qetësohen edhe debatet për anëtarësim në NATO. Në perëndim ka vite që është prezantuar imazhi i një Viktor Janukoviçi me orientim pro rus dhe i një Julia Timoshenkoje me orientim pro perëndimor.
Kosovë
Gjykata Kushtetuese, seance dëgjimore për Gjakovën
Gjykata Kushtetuese e Kosovës zhvilloi dje një seancë dëgjimore për të shqyrtuar ligjshmërinë e zgjedhjeve të mbajtura në Gjakovë, ku si palë u ftuan KQZ, përfaqësuesit e AAK-së dhe AKR-së. Kërkesën për të shqyrtuar ligjshmërinë e zgjedhjeve në Gjakovë e bëri Aleanca Kosova e Re, pasi sipas tyre, gjatë votimeve në këtë komunë ka pasur shumë parregullsi, dhe si pasojë e tyre ka humbur kandidatja e tyre për kryetar të Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, përballë kandidatit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj.
Maqedoni
Ivanov konfirmon strategji shtetërore për “emrin”
Presidenti maqedonas, Gjorgje Ivanov ka deklaruar se Shkupi zyrtar do të paraqitet me një strategji shtetërore për çështjen e emrit, gjatë vizitës që ndërmjetësi i OKB-së, Metju Nimiç pritet të bëjë në vend. “Nimiç vjen gjithmonë me informacionet e mbledhura nga të dyja palët. Ai e di cili është qëndrimi ynë dhe ai i Greqisë dhe sipas të gjitha gjasave do të paraqesë atë që mendon se të dyja palët duhet të bëjnë, në mënyrë që të arrihet një zgjidhje”, ka pohuar Ivanov. Ai ka shtuar se është në koordinim edhe me negociatorin e Shkupit Zoran Jolevski, i cili do të takohet me Nimiç.
Strasburg
Miratohen komisionarët e rinj të BE-së
Parlamenti Europian me shumicë votash aprovoi ditën e djeshme komisionarët e rinj europianë. Vendimi u hap rrugën 27 anëtarëve të komisionit, përgjegjës për propozimin dhe zbatimin e ligjeve të BE-së. Komisioni drejtohet nga presidenti Hoze Manuel Barroso për pesë vitet e ardhshme. Pas një debati të gjatë 488 votuan në Strasburg për ekipin e presidentit të vjetër dhe të ri të Komisionit. Pati 137 vota kundër dhe 72 abstenime. Deputetët europianë miratuan gjithashtu një marrëveshje kornizë, të negociuar me Komisionin, e cila i jep Parlamentit më shumë ndikim në legjislacionin e Bashkimit Europian.
Afganistan
28 persona humbasin jetën nga ortekët
Të paktën 28 persona kanë humbur jetën dhe qindra të tjerë kanë mbetur të izoluar nga ortekët që goditën një tunel malor në Afganistan. Disa prej viktimave ngrinë në automjetet e bllokuara në tunel ose u mbytën nga gazrat e skapamentove. Pas disa ditëve me reshje të forta dëbore, ortekët goditën zonën përreth Tunelit Salang, në malet Hindu Kush. Në zonën e goditur kalon rruga kryesore nga kryeqyteti afgan, Kabul, për në qytetin verior Mazar-i-Sharif dhe ajo është një nyje lidhëse me Azinë Qendrore.
Trupa të ushtrisë janë përpjekur t’i nxjerrin njerëzit e bllokuar në tunel dhe t’u ofrojnë ndihmë mjekësore.
10 Shkurt 2010