E Shtunë, 31 Tetor 2026

Revolucioni Islamik, nga shkaqet tek risitë

Përgatiti: Dr. Alibeman Eghbali Zarc
Këto ditë janë të paharrueshme në historinë e popullit tonë të madh; janë ditët e fitores së Revolucionit Islamik, i cili u udhëhoq deri në fitore nga lideri historik Imam Khomeini, i cili edhe pas fitores u përpoq me gjithë qënien e tij për ta mbrojtur atë. Ky revolucion u mbështet në konceptin e thellë të besimit në një Zot të vetëm dhe ishte i frymëzuar nga revolucioni i Ashura-së hyseniane, gjatë të cilit një numër i vogël njerëzish të thjeshtë, por me bindje të thellë dhe të fortë, fituan mbi forcat e të pafeve dhe të mosbesimit, duke lënë pa mend pushtet mbajtësit.
Dhjetëditëshi i këtij revolucioni është një rast për rishikimin e vlerave dhe aspiratave të tij, për të parë se ku ishim, çfarë bënim, çfarë kërkonim, dhe ku jemi tani e çfarë bëjmë. Minimumi që solli ky revolucion është hapja e një kapitulli të ri në historinë bashkëkohore dhe kjo nuk është pak.
Revolucion do të thotë përmbysje. Filozofia e revolucionit ka të bëjë me ndryshimin domosdoshmërisht të thelbit dhe natyrës së diçkaje.Po kështu edhe sociologët me revolucion kuptojnë ndryshim. Revolucioni në Iran ishte ndryshimi i shoqërisë iraniane duke përfituar nga mësimet e islamit të kulluar muhamedian, i cili krijoi kushtet për një shoqëri monoteiste.
Në fjalorin e sociologjisë fjala revolucion përcaktohet në këtë mënyrë: krizë e vazhdueshme e një sistemi shoqëror dhe politik të një shoqërie pasuar me ndryshime të shpejta dhe të dhunshme. Z. Koleini në librin e tij "E Vërteta e Krishtërimit", në lidhje me synimet e profetëve hyjnorë, shkruan se qëllimet kryesore të tyre kanë të bëjnë me ndryshimin dhe zhvillimin e botës. Të gjithë profetët hyjnorë kanë ndjekur katër ndryshime dhe zhvillime themelore në botë: kulturore (të ideve dhe mendimit), shpirtërore (vlerave të besimit), ekzekutive (të metodës e veprimit) dhe politike (të shtetit dhe qeverisjes). Përkufizimi i revolucionit është i vështirë, ndaj ekzistojnë përcaktime të ndryshme në lidhje me kuptimin e tij. Profesor Hana Arnet në librin e tij “Revolucioni” në mbi 60 faqe mundohet të japë përkufizimin e revolucionit, duke e përmbledhur në reformë- rilindje- iniciativë dhe luftë.
Lidhur me këtë, në analizën e tij lidhur me Revolucionin Islamik Dr. Abdulhamid shkruan: "Revolucion do të thotë ndryshime themelore në të gjitha fushat, shoqërore, shpirtërore, ekonomike, e gjyqësore dhe veçanërisht në atë politike, ndryshime që zakonisht shoqërohen me dhunë, qëndresë dhe sakrifica njerëzore. Në përgjithësi Revolucioni Islamik i Iranit krahas luftrave të pashembullta të popullit iranian nën udhëheqjen e Imam Khomeinit mund të konsiderohet rezultat i politikave të gabuara të fuqive të mëdha dhe veçanërisht i Britanisë së Madhe, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ish Bashkimit Sovietik përkundrejt Iranit gjatë 200 vjetëve para Revolucionit Islamik.”
Revolucioni Islamik i Iranit pa dyshim është një fenomen i ri i shekullit të XX-të . Ishte një revolucion largpamës, aspirues, islamizues dhe universal i pashembullt në botën islamike, i cili nën udhëheqjen e Imam Khomeinit solli zhvillime të thella në skenën ndërkombëtare. Ky lider historik hodhi themelet e një revolucioni i cili, si një thikë me dy presa, iu kundërvu si komunizmit ashtu edhe kapitalizmit. Ai u bëri thirrje popujve myslimanë që, për t’u përballur me sundimin e superfuqive të Lindjes dhe të Perëndimit, të mbanin një qëndrim të ri ndaj vlerave islamike. Duke vendosur një lidhje direkte midis revolucionit dhe ideologjisë ai e konsideroi revolucionin një kusht të nevojshëm dhe të domosdoshëm për realizimin e aspiratave hyjnore dhe një mjet për të arritur qëllimet doktrinore, për ta çuar shoqërinë njerëzore drejt përsosjes. Ai bëri përpjekje të vazhdueshme per realizimin e teorisë së tij. Krahas përpjekjeve për mbizotërimin e aspiratave dhe vlerave fetare, ai nuk hoqi kurrë dorë nga orvajtjet për të realizuar qëllimet liridashëse dhe pavarësuese të lëvizjes së tij. Në këtë mënyrë revolucioni u bë një mjet për lindjen e Republikës Islamike. Revolucionet e mëdha botërore mund të konsiderohen ngjarje të rëndësishme dhe ndikuese në historinë e sotme. Pa dyshim Revolucioni Islamik i Iranit është revolucioni më i madh ideor dhe shpirtëror i kohës së sotme dhe një nga fenomenet e rëndësishme dhe përcaktuese të shekullit të XX-të, i cili në krahasim me revolucionet e dy shekujve të fundit si ai francez, rus, kinez etj, ka pasur veçoritë dhe vendin e tij të veçantë. Një nga aspektet më të ndritura të këtij revolucioni ishin risitë që ky revolucion mbartëte në vetvete.
Sikurse është shprehur udhëheqësi i urtë dhe largpamës i revolucionit Hirësia e Tij Ajetullah Khaminei vetë shpërthimi i revolucionit islamik në Iran është një risi. Nga kjo pikëpamje ky revolucion ka qenë objekt i analizave të teoricienëve të politikës të cilët janë përpjekur t'i bëjnë atij një interpretim të detajuar dhe të kujdesshëm. Ajo çfarë ka pasur më shumë rëndësi në këtë mes ka qenë risia e Revolucionit Iranian nga pikëpamja politike, e cila përsa i përket thellësisë, shtrirjes dhe ndikimit të saj i kaloi edhe kufijtë gjeografikë të tij . Revolucioni Islamik i Iranit ishte risia më e madhe politike e shekullit të XX-të. Duke sjellë nje model të ri të sistemit politik që i kundërvihej sistemeve ekzistuese, ky revolucion parashtroi një projekt të ri administrimi dhe qeverisjeje të vendit. Nga ana tjetër duke u mbështetur në mësimet e fesë islame që luajtën rolin kryesor në realizimin e Revolucionit Islamik, mundi të verë në pikëpyetje teoritë që shkaqet e revolucionit i shikonin në faktorët jo fetarë, duke bërë që të vërë përballë një sfide të madhe sistemin botëror dy polar. Risia tjetër e Revolucionit islamik që ndikoi në krijimin e një lëvizjeje të re në popujt myslimanë të botës ishte ringjallja e thënieve të harruara mbi forcimin e identitetit të myslimanëve në skenën politike dhe shoqërore.

Shkaqet e shpërthimit të Revolucionit Islamik
Në analizat sociologjike jepen mendime të ndryshme në lidhje me llojin dhe jetëgjatësinë e pushteteve. Ibn Khaldun kishte bindjen se ashtu sikurse njeriu gjatë jetës së tij kalon periudha të ndryshme; të lindjes, rritjes, rinisë dhe më pas dobësimit e pleqërisë, çdo sistem qeverisës nga koha e krijimit deri në zhdukjen e tij kalon në 5 faza: Faza e parë është ajo e fitores ose e marrjes së pushtetit dhe, faza e dytë, ajo e stabilizimit, forcimit dhe dominimit të plotë. Në fazën e tretë guvernatori ose kryetari i shtetit me anë të tiranisë së tij përpiqet të përfitojë nga të mirat e pushtetit dhe përfshihet gjithnjë e më shumë nga etja për pasuri, duke shpenzuar në të njejtën kohë shuma të konsiderueshme për forcimin e bazave të pushtetit dhe ndërtimin. Gjatë kësaj periudhe edhe njerëzit rreth tij përpiqen të grumbullojnë pasuri dhe të fuqizohen. Faza e katërt është faza e kulmit të fuqisë, kur pushtetarët dhe njerëzit përreth zhyten në të mirat dhe përfitimet e pushtetit të siguruar. Pikërisht në këtë fazë ata lënë në harresë faktorët kyç të mirëqënies së shoqërisë dhe, si përfundim, në fazën e pestë qeverisja shkon drejt dobësimit, abuzimi dhe shpërdorimi arrin kulmin. Këto dhe degjenerimi moral, krahas goditjeve të brendshme, çojnë në shkatërrimin e plotë të fuqisë absolute. Në një gjuhë më të thjeshtë ndoshta pikpamjet e Ibn Khaldun-it janë analiza më e mirë e proçesit të formimit dhe më pas shthurjes së pushtetit të Pahlevit gjatë shekullit të XX-të në Iran.
Kur shqyrtohen shkaqet e shpërthimit të Revolucionit Islamik në Iran vihet re se një nga shkaqet kryesore ka qenë despotizmi monarkik. Dr. Velajati është i mendimit se despotizmi në Iran ka ardhur si rrjedhojë e këtyre elementëve:
a- ekonomia dhe sistemi i vaditjes
b- prona publike
c- burokracia
Ndër shkaqet e tjera që çuan në lindjen e revolucionit mund të përmenden :
Pakënaqësia e thellë prej situatës ekzistuese me tregues të tillë si lodhja dhe neveria e popullit prej premtimeve të përsëritura dhe false të monarkisë të cilat çuan në parrullat refuzuese si "Poshtë Shahu" ose "Poshtë Monarkia". Ndryshe nga shumica e revolucioneve të kohës së sotme në të cilat marrin pjesë vetëm disa grupe të veçanta të shoqërisë, në Iran pothuajse e gjithë popullsia e vendit e urrente regjimin e Shahut. Si pasojë e mpleksjes së kësaj pakënaqësie të popullit me aspekte ideore dhe të bindjeve fetare mund të arrihet në përfundimin se në Iran pakënaqësia ishte më e madhe dhe më e thellë krahasuar me revolucione në vende të tjera .
Përhapja dhe pranimi i ideve dhe ideologjisë së re të Revolucionit Islamik me tregues të tillë si parrullat revolucionare për shprehjen e aspiratave të reja që dëgjoheshin në protestat në rrugë, në fjalime dhe shkrime të kohës së revolucionit si edhe indiferenca ndaj parrullave të grupimeve jo islamike pavarësisht propagandës së madhe të bërë prej tyre. Përgjithësisht, si pasojë e dështimit të marksizmit dhe nacionalizmit dhe në sajë të përpjekjeve të grupimeve islamike, u forcua më tepër teoria e ringjalljes së besimit fetar dhe kthimit te vetvetja. Ata që morën pjesë në revolucion u bindën që ideologjia islamike duhej të zëvendësonte ideologjinë e vjetëruar sunduese të kohës.
Në shpërthimin e revolucionit islamik doli qartë edhe ekzistenca e një lloji udhëheqjeje të veçantë të shoqëruar me struktura të veçanta funksionale si institucioni i ruhaniat-it ( udhëheqësit shpirtëror), rrjeti i xhamive dhe shoqatave islamike. Udhëheqja e mençur dhe e pakundërshtueshme e Imam Khomeinit, besimi i veçantë i popullit tek ai si edhe tradita historike fetare dhe prirjet shpirtërore të njerëzve, krijuan një situatë të paparë e cila çoi shumë shpejt në nxitjen e suksesëshme të pakënaqësisë nga gjendja ekzistuese, në përhapjen e aspiratave të revolucionit islamik, në krijimin dhe përhapjen e frymës revolucionare dhe mobilizimin e përgjithshëm. Parrulla si "Lëvizja jonë Hyseni, udhëheqësi ynë Khomeini" dëshmon pranimin e Imam Khomeinit nga të gjithë si udhëheqës i Revolucionit Islamik.
Fryma revolucionare e këtij revolucioni duket qartë në tregues si mos nënshtrimi i revolucionarëve përballë masave reformiste të regjimit të Shahut (ndryshimi i kryeministrave, lirimi i të burgosurve politikë dhe liritë e kontrolluara të shtypit) si edhe mosbindja e tyre ndaj masave shtypëse (të tipit shtetrrethim). Shkaqe të tilla si: feja e ndritur islame, shiizmi dhe veçoritë e tij (si lufta kundër shtypjes dhe vendosja e drejtësisë, lëvizjet dhe kryengritjet e kaluara shiite, ceremonitë fetare ( mbajtja e zisë gjatë muajve Muharrem dhe Safar, veçanërisht në ditët historike të Tasua dhe Ashura –së së Hysenit), institucioni i udhëheqësit shpirtëror dhe lidhjet e tij të pashkëputura me njerëzit, udhëheqja e mençur dhe e vendosur e Imam Khomeinit si dhe kultura fetare e popullit iranian, pavarësisht dukurive të ndikimit të kulturës perëndimore, institucionet kulturore historike luajtën rolin kryesor në shpërthimin dhe fitoren e shpejtë të revolucionit.
Revolta e Imam Khomeinit ishte kulmi i lëvizjes islamike të vërtetë dhe lëvizjet e tjera islamike në mbarë botën u ndikuan dhe u frymëzuan nga suksesi i saj. Imam Khomeini zhvilloi idenë e forcimit të identitetit kombinuar me zhvillimin. Pra Imam Khomeini krahas vëmendjes që i kushtonte rilindjes së identitetit islam vlerësonte në mënyrë të konsiderueshme edhe zhvillimin në kuadrin e këtij identiteti. Teoria politike e Imam Khomeinit paraqitej ekskluzivisht e lidhur me islamin dhe ishte pikërisht kjo veçori që i dha Revolucionit Islamik të Iranit suksesin dhe e bëri atë të veçantë në mbarë botën islamike.
Kuptimi i pushtetit islamik
Qëllimi i udhëheqjes dhe popullit iranian në luftën dhe revolucionin e tij islamik, përveç përmbysjes së regjimit të Shahut ishte vendosja e pushtetit islamik. Pushteti islamik ishte një teori e re mbi të cilën Imam Khomeini gjatë qëndrimit të tij 15 vjeçar në internim në Irak kishte bërë studime dhe kërkime të shumta, të cilat i përmblodhi në librin e tij "Bazat e Revolucionit Islamik, Parimet dhe Kuptimi i Pushtetit Islamik"
Imam Khomeini në teorinë e tij bazuar mbi jurisprudencën religjioze lidhur me administrimin e sistemit islamik dhe realizimin e rregullave të sheriatit flet për vendosjen dhe krijimin e Pushtetit Islamik apo të Shtetit Islamik. Në pushtetin islamik pushtetarët gjatë administrimit dhe ushtrimit të pushtetit të tyre janë të detyruar t'i përmbahen një sërë kushteve të përcaktuara në Kur'anin e shenjtë dhe në traditën profetike. Këto kushte janë pikërisht rregullat dhe ligjet islamike të cilat duhen respektuar dhe realizuar. Si rrjedhim ajo që bën diferencën midis pushtetit islamik dhe pushteteve të tjera despotike monarkike qëndron në respektimin dhe realizimin e ligjeve dhe rregullave islamike.
Uniteti islamik është një veçori tjetër racionale e shtruar nga Imam Khomeini e lidhur me domosdoshmërinë e krijimit të rendit islamik. Hirësia e Tij ka thënë: "Për të garantuar unitetin islamik dhe për ta çliruar atdheun e islamit nga influenca e kolonizatorëve dhe qeveritë e tyre kukulla, ne nuk kemi rrugë tjetër veç krijimit të pushtetit”.
Përveç kësaj Imami kishte bindjen se krijimi i shtetit islamik ishte një domosdoshmëri për të shpëtuar të shtypurit dhe për të luftuar shtypësit (detyrë e myslimanëve dhe dijetarëve islamë).
Nga ana tjetër Imam Khomeini e konsideronte si një nevojë dhe domosdoshmëri krijimin e strukturave të pushtetit islamik - pushtetin ekzekutiv dhe ushtrimin e fuksioneve islamike për realizimin e parimeve, rregullave dhe ligjeve të sheriatit. Në vazhdim, Imami ka thënë se tërësia e ligjeve nuk mjafton për të reformuar shoqërinë. Ligji si mjet për reformimin dhe zhvillimin e njerëzimit ka nevojë për pushtetin ekzekutiv. Për këtë arsye, Zoti i gjithëfuqishëm me anë të shpalljes së një sërë ligjeve ose rregullave fetare rekomandoi strukturat për zbatimin e tyre. Vetë Profeti ( paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi të) qëndronte në krye të strukturave ekzekutive dhe administrative të shoqërisë myslimane. Ai përveçse shpalli fjalën e shenjtë, shprehu e komentoi bindjet dhe rregullat e pushtetit islamik, iu përkushtua realizimit të parimeve dhe vendosjes së pushtetit islam derisa krijoi shtetin islamik.
Sipas këndvështrimit të Imam Khomeinit dhe bazuar në jurisprudencën fetare, vendosja e pushtetit islamik është një nga parimet parësore të Islamit, që qëndron mbi të gjitha rregullat dytësore madje edhe mbi namazin, agjërimin apo haxhin. Pushteti Islamik është një degë e autoritetit absolut të Profetit të Zotit ( paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi të) .
Imam Khomeini i konsideron ruajtjen e rendit të shoqërisë islamike, prandalimin e rrëmujave dhe anarkisë në mesin e myslimanëve, mbrojtjen e kufijve të vendit islamik nga sulmet e huaja dhe zbatimin e parimeve hyjnore si qëllimet kryesore të vendosjes së pushtetit islamik. Ai ka thënë: "Me qenë se mbrojtja e rendit shoqëror është një nga detyrimet më të theksuara të sheriatit, krijimi i pështjellimeve në punët e myslimanëve është një vepër e papëlqyeshme ndaj Zotit dhe popullit. Është mëse e qartë se ruajtja e rendit dhe parandalimi i turbullirave nuk realizohet ndryshe përveçse me vendosjen e pushtetit islamik, prandaj nuk ka pikë hezitimi mbi nevojën e vendosjes së këtij pushteti. Përveç këtyre që thamë, mbrojtja e kufijve të vendit islamik përballë sulmeve të të huajve dhe parandalimi i vendosjes së sundimit të agresorëve në të është detyrë morale dhe ligjore e fetare, realizimi i të cilës bëhet vetëm nëpërmjet vendosjes së pushtetit islamik.
Karakteristikat e Pushtetit Islamik
Disa nga karakteristikat e Pushtetit Islamik janë si më poshtë:
a- në këtë pushtet sovraniteti absolut dhe ekskluziv i takon Zotit.
b- ligjet që rregullojnë pushtetin islamik janë ekskluzivisht ligjet fetare ( hyjnore).
Sovraniteti i takon vetëm Zotit dhe ligji është vetëm një urdhër dhe verdikt i Zotit. Ligji islam ose urdhëri i Zotit është i detyrueshëm për të gjithë individët e shtetit islamik. Të gjithë individët duke filluar nga vetë i Profeti i Zotit ( paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi të) e deri te kalifët e tij dhe njerëzit e tjerë i detyrohen përjetësisht pikërisht atij ligji që ka zbritur nga Zoti dhe është shprehur në Kur'an apo nga goja e Profetit. Vijon....

10 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›