Artistët fëmijë të Tiranës shfaqje në vend
Qendra Kulturore Kombëtare e Fëmijëve në Tirane, ka nisur provat këtë muaj për një aktivitet, i cili do të zhvillohet në shtator, ku artistët e vegjël të kësaj Qendre, 7-14 vjeç, do të prezantohen me një shfaqje në Teatrin e Kukullave, në Kryeqytet. Më pas pritet që fëmijët e QKKF-së të japin shfaqje në disa qytete të Shqipërinë. Kjo shfaqje pritet të vihet në skenë, bazuar mbi një përmbledhje fabulash dhe krijimesh për fëmijë, të interpretuar nga vetë ata, nën punën e kujdesshme të instruktorëve të tyre. Drejtoresha e QKKF-së, Ardita Repishti, bëri të ditur se, “Fëmijët, pasi të performojnë në skenën e Teatrit të Kukullave, do të interpretojnë në disa komuna të Tiranës, e më pas, në disa prej qyteteve të vendit. Një pjesë e aktorëve të vegjël do të interpretojnë për herë të parë në skenë, ndërsa pjesa tjetër janë fitues të konkurseve kombëtare si dhe ndërkombëtare”. Sipas saj, shfaqja do të zhvillohet me elementë të muzikës dhe koreografisë, që do të ndërthuren në mënyrë të tillë, ku aktorët e vegjël të kenë mundësi të shpalosin aftësitë e tyre.
22 Gusht 2008