Kulturat tradicionale ballafaqohen në Festivalin Folklorik Mesdhetar
Është konsideruar si një ballafaqim i kulturave tradicionale, Festivali Folklorik Mesdhetar “Vlora 2008”, që u zhvillua në qytetin e Vlorës në periudhën 29 korrik deri në 2 gusht. Udhëheqësi artistik i këtij Festivali, Prof. Ermir Dizdari është shprehur se “Ky është një nga aktivitetet më të rëndësishme që zhvillohet në vendin tonë në fushën e trashëgimisë shpirtërore”.
Sipas tij, kjo lidhet jo vetëm me faktin se prej shumë vitesh festivali është një veprimtari me karakter ndërkombëtar që zhvillohet në këtë fushë në Shqipëri, por edhe për karakteristikat e vendeve që përfaqësohen në të. Dizdari shprehet se “Festivali Folklorik Mesdhetar është një aktivitet që sado pak ndikon në procesin e integrimit në Europë, sigurisht në fushën e folklorit, të kulturës, të trashëgimisë shpirtërore”. Festivali sipas tij, është një ballafaqim i kulturave tradicionale të vendeve pjesëmarrëse, një model shumë i mirë në këtë drejtim, që duhet të vlerësohet nga të gjithë ata që janë protagonistë të këtij aktiviteti. Duke u ndalur në të veçantat e Festivalit Folklorik Mesdhetar, Dizdari thotë se “nga të gjitha grupet, u evidentua lehtësisht, diku më larg, diku më afër, afrimiteti që kanë popujt e këtij rajoni, megjithëse të ndarë në tre kontinente, por që lagen nga të njëjtat ujra Mesdhetare”. Për të, këto elemente ngjashmërie konstatohen si një fill i përbashkët në pasurinë e ngjyrave të kostumeve, në melodinë e këngëve, lëvizjet e valleve dhe të valltarëve. “Këto tregojnë dhe reflektojnë qartësisht atë marrëdhënie shpirtërore që kanë krijuar popujt, atë fakt tashmë të padiskutueshëm që ne kemi marrë dhe dhënë me njeri tjetrin”, nënvizon Dizdari, duke shtuar se kjo ngjashmëri konstatohej tek linja melodike e grupit të Egjiptit me atë të Turqisë, ku ndjen dhe prek afrimitetin e emocioneve. Festivali Folklorik Mesdhetar “Vlora 2008” u zhvillua përgjatë 5 ditëve duke u konkretizuar në tre pika të ndryshme të qytetit, duke përfshirë, Sheshin e Flamurit, atë të Pallatit të Sportit dhe Plazhin e Ri. Pjesë e aktiviteteve ishte edhe parada e kostumeve për grupet pjesmarrëse, që u zhvillua në bulevardin Vlorë-Skelë.
22 Gusht 2008